Si mund të influencohen zgjedhjet përmes sulmeve kibernetike?

Evropë

Si mund të influencohen zgjedhjet përmes sulmeve kibernetike?

Më: 23 shtator 2021 Në ora: 08:27
Foto ilustrim

Ekspertët shpjegojnë, se për të kuptuar se me çfarë lloj kërcënimesh kibernetike mund të përballen zgjedhjet, mjafton t’i klasifikosh ato në tri kategori.

Në nivelin 1, procesi është më i dukshëm, hakerimi. Atakuesit mund të hakerojnë direkt kompjuterat që përdoren për eventet e fushatës elektorale ose edhe zgjedhjet drejtpërdrejt. Në janar 2021, kur zhvillohej kongresi i partisë konservatore kristiandemokrate të Angela Merkelit pati për herë të parë një eksperiencë të tillë. Takimi zhvillohej online për zgjedhjen e kryetarit të partisë. Hakerat sulmuan faqen përkatëse duke u përpjekur përmes trafikut në internet derisa ajo pësoi kolaps. Por vetëm pas një ore, partia arriti ta menaxhojë këtë ndërhyrje duke i bllokuar ata që kishin depërtuar në faqen e internetit. Kësisoj faqja u riaktivizua dhe vazhdoi funksionimi normal online.

Por kjo nuk është e gjitha. Sepse edhe masat më të mira për sigurinë kibernetike pak ndihmojnë për të shmangur nivelin e dytë të hakerimit të zgjedhjeve.

Problemi tek lehtësia e përhapjes së lajmeve të rreme

Niveli 2 konsiston në disinformim, dëmtim të informacionit, përhapje të qëllimshme të informacioneve të rreme për të irrituar opinionin publik ndaj kandidatëve dhe partive të caktuara. Në prill 2021, disa orë pasi partia ekologjiste Të Gjelbërit shpalli, se kë do të nxirrte në garën për postin e kancelarit, filluan të qarkullojnë fotografi online. Ato tregonin kandidaten Annalena Baerbock duke përqafuar kolegët në kulmin e pandemisë - pa maskë.

Por fotografitë ishin të rreme. Ato ishin fotografi të marra vite përpara se të fillonte pandemia. Më pas online u shfaqën deklarata të Baerbock duke sugjeruar që të ndalohet mbajtja e kafshëve për fëmijët në shtëpi. Por në fakt partia e konfirmoi zyrtarisht, që nuk do të ndalojë kafshët shtëpiake për fëmijë dhe se në rrjetet sociale po qarkullojnë njoftime të rreme. Këto shembuj ilustrojnë se sa e thjeshtë është sot të përhapësh për këdo disinformacione. Për këtë e gjitha që nevojitet është të njohësh bazat e përdorimit të photoshop-it dhe të llogarive në rrjetet sociale. Por megjithëse mund të hidhen poshtë të tilla "cheap fakes" me një kërkim në Google, ato megjithatë shkaktojnë dëm.

Image

 

Kurse niveli 3 i hakerimit të zgjedhjeve është i sofistikuar. Fjala është për të ashtuquajturin sistemi "hybrid cyber operations": Sulmet e hakerimit shoqërohen njëkohësisht edhe me fushata e disinformimit. Rëndom operacione të tilla zhvillohen në mënyrë simultane.

Kërcënimi i fushatave të ngjashme mbetet real, sipas kreut të shërbimit të brendshëm të inteligjencës në Gjermani, Thomas Haldenwang: "Ne vërejmë interesin e shteteve të caktuara, që duan të influencojnë zgjedhjet për Bundestagun.” Vëzhgues nga vendi fqinj i Gjermanisë, Holanda, - ku zgjedhjet u zhvilluan në fillim të këtij viti, thonë, se autoritetet gjermane kanë arsye për t'u shqetësuar.

Sulmet kibernetike vijnë në qindra forma dhe mënyra të ndryshme. Edhe nëqoftëse disinformacioni demaskohet, gjurmët e dyshimit mbeten. Me kalimin e kohës, këto dyshime bëhen brejtëse duke e gërryer ngadalë besimin në demokraci./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat