Mbi 330 mijë fëmijë të abuzuar, në Francë kërkohet reformë për Kishën Katolike

Evropë

Mbi 330 mijë fëmijë të abuzuar, në Francë kërkohet reformë për Kishën Katolike

Më: 7 tetor 2021 Në ora: 16:38
Kisha

Jean-Rene, Jean-Francois dhe Joseph ishin rreth dhjetë vjeç kur filloi abuzimi. Në shkollën e priftërinjve në Chavagnes-en-Paillers, në perëndim të Francës, abuzimet seksuale kundër fëmijëve ishin sistematike.

“Ata vinin dhe na merrnin nga dhomat. Na thonin ‘nuk iu kam parë për një kohë të gjatë’ dhe na çonin në dhomat e tyre”, tregon Jean-Francois, viktimë e abuzimit.

Por kisha katolike i mbulonte abuzimet.

“Kur një prift sillej në mënyrë skandaloze, peshkopi do ta zhvendoste atë diku tjetër, ku ai do të bënte sërish të njëjtën gjë, që kishte bërë më parë”, tregon Jean Rene, viktimë e abuzimit.

Për dekada, histori të tilla të tmerrshme të abuzimit u përsëritën në të gjithë Francën. Por ato u mbajtën të fshehura.

Një hetim, nga një komision i pavarur, që u publikua të hënën, zbuloi se të paktën 216 mijë fëmijë, shumica djem, janë abuzuar seksualisht nga 3200 priftërinj dhe klerikë, që nga viti 1950. Po t’u shtosh edhe abuzimet nga punonjës të tjerë të kishës, numri i të abuzuarve shkon në 330 mijë.

“Ka patur kryesisht një neglizhencë, dështime, heshtje, fshehje institucionale të abuzimeve në mënyrë sistematike", thotë zoti Jean-Marc Sauve, presidenti i Komisionit të Pavarur për Abuzimet Seksuale në Kishë.

Pas publikimit të raportit, reagoi dhe Papa Françesku. “Unë dua të shpreh trishtimin tim, pikëllimin tim për traumën që ata kanë pësuar. Është turp për në, është turp për paaftësinë për një kohë të gjatë të kishës, për t’i ndjekur këto shqetësime”, tha Ati i Shenjtë.

Sipas ligjit francez, shumë prej abuzimeve janë të vjetra për t'u ndjekur penalisht. Komisioni bëri thirrje që kisha të rrisë kompensimin financiar për viktimat, pagesa të cilat janë planifikuar të fillojnë vitin e ardhshëm. Disa viktima thonë se vetë Kisha Katolike duhet t’i nënshtrohet një reforme historike.

“Duhet një proces i thellë ndryshimi në praktikat, marrëdhëniet dhe qeverisjen e Kishës”, thotë Eric Boone, viktimë e abuzimit.

Në fillim të këtij viti, Papa Françesku ndryshoi ligjet katolike për të kriminalizuar në mënyrë të qartë abuzimin seksual.

“Përsa kohë të ketë mbetur qoftë edhe një abuzues, apo një viktimë, duhet bërë më shumë. Papa Françesku mendoj se ka filluar një kulturë ndryshimi”, thotë Amicie Pelissie du Rausas, me organizatën “Zërat Katolikë”

Hetime të ngjashme po kryhen edhe në disa vende të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Australinë. Papa Françesku e ka cilësuar abuzimin seksual brenda kishës katolike si një “katastrofë në mbarë botën”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat