Babis pranon humbjen në zgjedhjet në Çeki

Evropë

Babis pranon humbjen në zgjedhjet në Çeki

Më: 10 tetor 2021 Në ora: 10:37
Kryeministri i Republikës Çeke, Andrej Babis.

Kryeministri i Republikës Çeke, Andrej Babis ka pranuar humbjen ndaj dy aleancave opozitare, që fituan shumicën në zgjedhjet parlamentare, pas dy ditësh votime.

“Kjo është jeta- ne e kuptojmë dhe e pranojmë këtë”, tha 67-vjeçari Babis, pasi më 9 tetor u publikuan rezultatet e plota.

Ai e uroi kundërshtarin e tij Petr Fiala për fitoren, por gjithashtu akuzoi opozitën për “fushatë të shpifjeve”.

Sipas rezultatit, partia e multimiliarderit Babis, partia populsite ANO fitoi 27.1 për qind të votave dhe pritet të fitojë 72 ulëse në Dhomën e Deputetëve prej 200 ulësesh.

Koalicioni prej tri partish duket se ka fituar të paktën 108 ulëse.

Aleanca konservatore SPOLU ka fituar 27.8 për qind të votave, ndërkaq koalicioni ndërmjet Partisë Pirate dhe Partisë së Kryetarëve ka fituar 15.6 për qind të votave.

Partitë opozitare duket se kanë politika që janë në të njëjtën linjë me shtetet kryesore të Bashkimit Evropian sesa që ka Babis, që është euroskeptik.

Ndërkaq, votuesit çekë për herë të parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore kanë lënë jashtë parlamentit komunistët. Partia Komuniste – paraardhësit e të cilës kishin udhëhequr me shtetin nga viti 1948 deri në Revolucionin e Kadifenjtë më 1989 që solli demokracinë – nuk mori 5 për qind të votave që kërkohen për të hyrë në parlament.

“Ndryshimi ka ardhur, ne jemi ndryshimi”, tha Faila, udhëheqësi i SPOLU.

Pavarësisht se Babis ka pranuar humbjen, ende është e paqartë sesi do të formohet qeveria e re.

Presidenti çek, Milosh Zeman në të kaluarën ka thënë se nuk do të mandatojë një koalicion për të formuar qeverinë, por do ta mandatojë vetëm partinë e parë, duke e hapur mundësinë për një marrëveshje ndërmjet koalicionit fitues dhe partisë së Babisit.

Sipas rezultateve, ANO e Babis është partia më e madhe, pasi që SPOLU është koalicion ndërmjet tri partive: ODS, TOP09 dhe KDU-CSL.

Një zëdhënës i Zemanit tha se ai e ka ftuar Babisin për bisedime më 10 tetor. Pas zgjedhjeve, Babis tha se ai do të nisë bisedimet për qeverinë e re nëse Zeman ia kërkon një gjë të tillë. Liderët opozitarë, në anën tjetër, kanë deklaruar se ata kanë fituar dhe kanë të drejtë ta formojnë qeverinë.

Zgjedhjet në Çeki u mbajtën disa ditë pas zbulimit të Letrave të Pandorës, ku Babis ishte një nga personat e përfshirë në skandalet financiare.

Babis pretendohet se ka blerë prona në Francë në vlerë prej 17.4 milionë dollarëve përmes kompanive offshore në vitin 2009. Ai ka mohuar akuzat për pastrim parash.

Popullariteti i kryeministrit çek ka rënë po ashtu për shkak të mënyrës sesi qeveria e tij ka menaxhuar pandeminë COVID-19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat