Kryeministri polak akuzon opozitën: Nuk duam ta braktisim BE-në

Evropë

Kryeministri polak akuzon opozitën: Nuk duam ta braktisim BE-në

Më: 12 tetor 2021 Në ora: 20:10
Mateusz Morawiecki

Polonia nuk ka dëshirë të largohet nga Bashkimi Evropian. Kështu ka deklaruar të martën kryeministri polak Mateusz Morawiecki, i cili ka akuzuar politikanët e opozitës për keqinformim në lidhje me të ashtuquajturin “Polexit”.

“Opozita jonë e dashur po përpiqet të hedhë fjalën se ne duam të dobësojmë BE-në dhe Poloninë duke u larguar nga Unioni. Ky nuk është vetëm një lajm i rremë, por është diçka edhe më keq. Është një gënjeshtër që synon të dobësojë Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Morawiecki.

Komentet e tij erdhën pasi Gjykata Kushtetuese polake vendosi javën e kaluar se disa pjesë të ligjit të BE-së binin ndesh me Kushtetutën e vendit, duke minuar kështu një nga parimet kyçe të integrimit evropian dhe duke ushqyer hipotezën se Polonia një ditë mund të dalë nga Unioni, që e ka ndihmuar të zhvillojë ekonominë e saj.

Ditën e diel, mbi 100 mijë qytetarë polakë dolën në protestë në mbështetje të anëtarësisë në BE, pas përplasjes së Varshavës zyrtare me Brukselin.

Qeveria polake insiston se Bashkimi Evropian ka tejkaluar mandatin e tij në përpjekje për të ndalur reformat gjyqësore në Poloni, të cilat sipas Unionit cenojnë pavarësinë e gjykatave.

Qeveria populiste e së djathtës në Poloni, por edhe ajo në Hungari janë prej kohësh në konflikt me Komisionin Evropian për një sërë çështjesh si liria e medias, emigracioni, të drejtat e komunitetit LGBT dhe pavarësinë e gjyqësorit.

Por pavarësisht përplasjeve me Brukselin, mbështetja për anëtarësinë në BE mbetet shumë e lartë në Poloni, vendi më i madh ish-komunist i bllokut dhe përfituesi kryesor i ndihmave për anëtarët më të varfër. 

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat