Francë, Fillon humbet menaxherin dhe mbështetjen e aleatëve

Evropë

Francë, Fillon humbet menaxherin dhe mbështetjen e aleatëve

Më: 4 mars 2017 Në ora: 09:22
Kandidati presidencial François Fillon

Kandidati presidencial François Fillon ka marrë një tjetër goditje, teksa një parti politike aleate ka tërhequr mbështetjen për të, sikurse edhe menaxheri i fushatës Patrick Stefanini, i cili tha se jep dorëheqjen dhe nga e diela nuk do të jetë më në krye të fushatës së tij.

Unioni i Demokratëve dhe të të Pavarurve (UDI) i bëri thirrje Partisë Republikane, që përfaqëson Fillon, të zgjedhë një tjetër kandidat për shkak të skandalit me të cilin është përballur ky i fundit për pagesa fiktive ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve të tij.

Ai akuzohet se ka paguar me shuma të majme familjarët për pozicione pune parlamentare, të cilat nuk i kanë kryer kurrë. Gjithsesi, pavarësisht presionit për dorëheqje, Fillon refuzoi në fillim të javës që të tërhiqej nga gara për president.

Zgjedhjet franceze nuk janë prekur vetëm nga ky skandal, por edhe ai i kandidates së Frontit Nacional të ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, e cila ka refuzuar të marrë pjesë në një seancë pyetjes mbi keqpërdorimin e fondeve të BE-së. Këshilltarët e saj ligjorë thanë se ajo nuk do të marrë pjesë në këtë proces përpara zgjedhjeve. “Sigurisht që nuk do të shkojë”, tha avokati i saj për reporterët.

Edhe pse “UDI”-ja është një parti e vogël me vetëm 28 deputetë në Parlamentin francez, aleanca e tyre për republikanët është shumë e rëndësishme. Si një parti e qendrës, ajo zgjeron bazën e republikanëve.

Udhëheqësi i “UDI”, Jean-Christophe Lagarde tha se Fillon është bërë një pengesë dhe, për sa kohë që do të qëndronte kandidat, qendra e djathtë po shkonte drejt një dështimi të sigurtë.

Fillon, 62 vjeç, mohon të ketë shkelur ligjin dhe pretendon se është viktimë e një “vrasjeje politike”. Megjithatë, ai tashmë ka humbur disa prej anëtarëve kyç të fushatës së tij, ndërsa disa deputetë të Partisë Republikane kanë bërë fushatë për ta zëvendësuar atë me Alain Juppe. Ky i fundit e humbi sfidën ndaj Fillon në nëntor, në atë që konsiderohet si hera e parë e zgjedhjeve franceze sipas sistemit amerikan të paraprakeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat