Franca në prag të balotazhit

Evropë

Franca në prag të balotazhit

Më: 4 maj 2017 Në ora: 15:52
Marine Le Pen dhe Emmanuel Macron

Në Francë, kandidatët për president, Marine Le Pen dhe Emmanuel Macron u ndeshën mbrëmë ballë për ballë për një debat vendimtar në prag të balotazhit të së dielës.

Të dy fituan më shumë vota në raundin e parë të zgjedhjeve më 23 prill, por asnjëri nuk mori shumicën.

Sondazhet tregojnë se kandidati i qendrës, Macron, kryeson ndaj ultra-konservatores Le Pen.

Në Paris, masat e sigurisë janë forcuar në prag të balotazhit të 7 majit. Të dielën në kryeqytet do të mobilizohet një forcë sigurie prej rreth 3500 vetësh.

Në debatin televiziv prej 160 minutash të zhvilluar në një mbrëmje me shi, Macron erdhi me mjaft energji në përballjen me rivalen Le Pen.

Për zonjën Le Pen, debati ishte një shans për të ngushtuar diferencën prej 20 përqind në sondazhet, që vazhdimisht favorizojnë rivalin e saj 39-vjeçar.

"Jam këtu për të mbrojtur idetë e mia, ai është këtu për të mbrojtur një qëndrim", tha zonja Le Pen.

Kandidatët trajtuan temat kryesore të fushatës, si rritjen e papunësisë, sigurinë, politikën shëndetësore dhe të ardhmen e vendit në Bashkimin Evropian. 48-vjeçarja Le Pen u përpoq ta paraqisë rivalin si përfaqësues të klasës politike që nuk pëlqehet nga votuesit:

"Ju jeni pinjoll i sistemit dhe i elitave. Maska juaj është rrëzuar. Kemi parë zgjedhjet që ju keni bërë gjatë fushatës së balotazhit: zgjedhje që janë cinike, të turpshme dhe që nxjerrin në pah ftohtësinë e një bankieri investimesh".

Macron, ish-bankier dhe ish-ministër i ekonomisë, e ka portretizuar veten si një centrist, që përfaqëson të gjithë popullin e Francës.

"Objektivi i madh për Emmanuel Macron-in është të tregojë se ai nuk është vetëm kandidati i francezëve më të arsimuar dhe më të pasur", thotë analisti Bruno Cautres?.

Qëllimi i zotit Macron ishte të provonte se idetë e rivales Le Pen, si dalja e Francës nga Bashkimi Evropian, janë të rrezikshme për vendin.

"Ju jeni pasuesja e vërtetë e drejtuesve të ekstremit të djathtë të partisë suaj, të cilët prej një kohe shumë të gjatë kanë përfituar nga zemërimi i popullit francez. Nuk ka pse flas për trashëgiminë tuaj, sepse ju vetë e keni mbrojtur atë prej vitesh," tha zoti Macron.

Debati përfundimisht do të sjellë pak ndryshim, thotë analisti Cautres.

"Si zakonisht është çështja e komunikimit, ku një gabim i madh mund t'i kushtojë kandidatit disa pikë, por që nuk përcakton fituesin ose humbësin.”

Sondazhet tregojnë se Le Pen ka fituar terren kohët e fundit, por jo mjaftueshëm sa të përbëjë një kërcënim serioz për rivalin Macron.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat