Pse Macron fitoi debatin me Le Penin

Evropë

Pse Macron fitoi debatin me Le Penin

Më: 5 maj 2017 Në ora: 06:41
Le Pen dhe Macron

Në përballjen për çelësat e Elizesë u prekën tema si terrorizmi, ekonomia dhe Bashkimi Europian. Për mbi dy orë, kundërshtarët shkëmbyen fyerje mes tyre, por pëlqimin e publikut në fund duket se e mori Macron, i cili është shfaqur shumë më bindës në thuajse të gjitha kategoritë.

Pas debatit, 63% e shikuesve u shprehën në favor të tij. Marine Le Pen e fshikulloi rivalin tek mungesa e eksperiencës politike dhe të kaluarën me sfond financiar, duke e cilësuar si kandidatin e globalizimit të egër. Version yt i Francës, i tha ajo, është një dhomë tregtie, ku secili do të luftojë për veten.

Macron u kundërpërgjigj duke thënë se liderja e Frontit Nacional gënjen haptazi, nuk propozon asgjë konkrete dhe fryn shqetësimet e publikut. “Përpara meje është ulur priftëresha e madhe e frikës”, u shpreh ai.

Macron: Le Pen fyen njerëzit për shkak të prejardhjes

Macron akuzoi rivalen e tij, se nuk bën propozime konkrete për të luftuar papunësinë. Sipas tij, ajo nuk mban vetëm emrin e të atit, por ndjek edhe trashëgiminë e tij. Le Pen përhap “gënjeshtra” dhe “budallallëqe”, sulmoi Macron. Sipas tij ajo simbolizon “shpirtin e dështimit” dhe jep një imazh negativ të Francës. Macron e kundërshtoi këtë strategji, duke thënë se ai dëshiron të bazohet në sukseset dhe fuqinë e Francës.

Politikani pa parti, Macron i tha Le Pen se nuk bën propozime konkrete për problemet ekonomike të Francës, por vetëm e përçan shoqërinë dhe fyen njerëzit për shkak të origjinës. Ndërsa Le Pen i hodhi poshtë këto duke theksuar se “kjo është kënga e vjetër”. Ajo theksoi planin e saj për t’u kthyer tek valuta e vjetër franceze. Euro është “valuta e bankave dhe jo e popullit”, tha ajo.

Le Pen: Franca qeveriset ose nga unë ose zonja Merkel

Me sa duket Le Pen shikon konkurrencë jo vetëm tek Macron, por edhe Angela Merkel. Nga e diela Franca do të qeveriset patjetër nga një grua, tha ajo, por nëse nga unë, apo nga Angela Merkel, kjo mbetet të shihet. Macron, nuk do të bëjë asgjë, pa miratimin e Merkelit, deklaroi Le Pen. “Ka disbalanca mes Francës dhe Gjermanisë, që në të vërtetë janë embrionet e një lufte”, tha ajo. Në debatin e mëparshëm, Le Pen kishte thënë nuk dua të jem zëvendëskancelarja e Merkelit.

Pas duelit, spektatorët vlerësuan më mirë deklaratat e Macron. 63% vlerësuan Macron, dhe vetëm 34% Le Pen, raportoi televizioni BFMTV. Instituti Elabe kishte pyetur shikuesit në debatin që zgjati dy orë e gjysmë.

Raundi i dytë dhe përfundimtar i zgjedhjeve presidenciale franceze mbahet të dielën, në 7 maj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat