Humoristët rusë i mashtruan liderët e Malit të Zi

Evropë

Humoristët rusë i mashtruan liderët e Malit të Zi

Më: 31 maj 2017 Në ora: 18:26
Humoristët rusë Vovan (majtas) dhe Lexus

Dy politikanë udhëheqës në Mal të Zi ishin viktimë e humoristëve rusë, të cilët janë paraqitur si president dhe kryeministër të Ukrainës në bisedat telefonike javën e kaluar, kanë thënë zyrtarët në Mal të Zi.

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, dhe ish-kryeministri, Millo Gjukanoviq, janë mashtruar nga humoristët e njohur si Vovan dhe Lexus, Vladimir Krasnov dhe Alexei Stolyarov, thanë zyrtarët qeveritarë malazezë dhe përfaqësues të Partisë Demokratike të Socialistëve.

Ata thanë se këto thirrje ishin provokim rus dhe pjesë e përpjekjeve të Moskës, që synon diskreditimin e zyrtarëve të Malit të Zi, pasi pranimi i vendit të tyre në NATO e ka zemëruar Rusinë.

Bisedimet e incizuara me humoristët, të cilët në të kaluarën i kanë mashtruar edhe personat e njohur, siç është Elton John, janë transmetuar në televizionin shtetëror rus. Autenticiteti i tyre është konfirmuar nga qeveria dhe partia, e cila udhëhiqet nga Gjukanoviqi.

Qeveria ka njoftuar se Markoviq ka folur me imitatorët, që paraqiteshin si presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, për 17 minuta më 24 maj, një ditë para takimit të NATO-s, në të cilin Mali i Zi është mirëpritur si anëtar i ri. Formalisht, Mali i Zi bëhet anëtar i NATO-s në fillim të muajit qershor.

Zoti Markoviq tha se ai nuk do ta ndryshonte asnjë fjalë të asaj që e ka thënë.

Gjukanoviq kishte folur me imitatorët rusë, të paraqitur si kryeministri i Ukrainës, Volodymyr Hroysman, pak më gjatë, thanë zyrtarët malazezë.

Zyrtarët e Malit të Zi i kanë akuzuar nacionalistët serbë dhe rusë për komplot për ta marrë parlamentin në tetor të vitit 2016, gjatë zgjedhjeve, pastaj për ta vrarë kryeministrin e atëhershëm, Millo Gjukanoviq, dhe për të insataluar udhëheqje proruse, në mënyrë që Mali i Zi të mbetej jashtë NATO-s.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat