Itali, nisin “krisjet” mes koalicionit populist, shkak racizmi i Salvinit

Evropë

Itali, nisin “krisjet” mes koalicionit populist, shkak racizmi i Salvinit

Më: 5 gusht 2018 Në ora: 11:12
Matteo Salvini

Në Itali kanë nisur të shfaqen “të çarat” e para mes koalicionit populist në qeverisje, teksa veprimet antiemigracion të Matteo Salvinit, ministër i Brendshëm dhe kryetar i “Lega Nord”-it të ekstremit të djathtë, po shqetësojnë politikanë të lartë të partnerit të tij në koalicion, “Lëvizjes 5 Yjet”, por edhe votuesit kryesorë të partisë.

Votues nga mbarë spektri politik italian u dyndën në krah të lëvizjes antiestablishment “5 Yjet”, e themeluar prej komedianit Beppe Grillo në vitin 2010. Ata u tërhoqën kryesisht nga qëndrimi antikorrupsion i kësaj lëvizjeje, por edhe për shkak se zotimit të saj për të ndihmuar biznesin e vogël, eliminimi i burokracive dhe nxjerrja e popullit nga varfëria, sikurse edhe theksi i veçantë ndaj mjedisit.

Por, kur kanë kaluar dy muaj nga qeveria e koalicionit mes Legës dhe 5 yjeve, disa po shfaqin dyshime të mëdha. Javën e kaluar, Roberto Fico, deputet i 5 Yjeve dhe president i Dhomës së Deputetëve, foli kundër paktit kontrovers me Libinë, që kërkon kthimin me forcë të emigrantëve në vendin e pllakosur nga lufta civile në veri të Afrikës.

Mesnatën e 30 korrikut, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin (IOM), rreth 350 persona u kthyen mbrapsht në Libi.

“Libia nuk është një destinacion i sigurtë për dërgimin e tyre. Të drejtat e njeriut nuk garantohen atje, ndaj emigrantët nuk mund të lihen në mëshirë të fatit”, tha Fico. Ai është përplasur gjithashtu me Salvinin edhe për retorikën e tij ksenofobike dhe për mbylljen e porteve italiane për anijet ndërkombëtare që shpëtojnë emigrantë në det të hapur. “Nuk dëshiroj mbylljen e porteve, – tha ai. – Ne duhet të bisedojmë mbi emigracionin me zgjuarsi dhe me zemër”.

Edhe politikanë të tjerë të 5 Yjeve kanë ngritur zërin, teksa sulmet ndaj emigrantëve janë shtuar së fundi. Që prej emërimit të Salvinit si ministër të Brendshëm, në Itali ka pasur 12 raste të shtënash me armë, dy të vrarë dhe 33 agresione fizike në vetëm dy muaj.

“Të gjithë ne, duke nisur nga politikanët, kemi përgjegjësinë për të krijuar një barrierë ndaj këtyre episodeve të papranueshme frikacakësh”, tha Vincenzo Spadafora i 5 Yjeve të hënën e kaluar.

Pakënaqësia po rritet edhe mes votuesve të “Lëvizjes 5 Yjet”, veçanërisht në bastionin kryesor jugor të partisë, Campania, prej nga vijnë edhe Fico dhe udhëheqësi i partisë, Luigi Di Maio.

“Kam qenë kundër bashkëpunimit të 5 Yjeve me Lega Nordin, – tha Paolo Silletti nga Caserta, pranë Napolit. – Kryesisht sepse e urrej Salvinin. Prej vitesh, ai i ka ofenduar njerëzit nga Jugu. Edhe shumë votues që na kanë dhënë votën nuk e pëlqejnë këtë koalicion. Dy partitë nuk kanë shumë pika të përbashkëta”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat