Putin viziton Gjermaninë për herë të dytë brenda tre muajve

Evropë

Putin viziton Gjermaninë për herë të dytë brenda tre muajve

Më: 18 gusht 2018 Në ora: 13:33
Angela Merkel dhe Vladimir Putin

Vladimir Putin mbërrin sot në Gjermani për takimin e dytë me Angela Merkel brenda tre muajsh. Dy liderët këtë herë do të shtrëngojnë duart në Pallatin Meseberg në Brandenburg.

Përpara kësaj megjithatë shefi i Kremlinit do të bëjë një ndalesë në Austri, si i ftuar në dasmën e ministres së Jashtme Karin Kneissl, përfaqësuese e Partisë Populiste të Lirisë nga ekstremi i djathtë, FPÖ.

Që kur u dha njoftimi i kësaj ftese të papritur, media austriake nuk ka reshtur se diskutuari për të. Duke mos e shprehur hapur shqetësimin që u shkakton prania e presidentit rus, disa politikanë të opozitës kanë nxjerrë si pretekst për kundërshtinë e tyre ndaj pjesëmarrjes së tij faktin që rritja e masave të sigurisë për shkak të kësaj vizite do të shtojë koston për taksapaguesit vendas. Anëtarë të partisë së gjelbër nga ana tjetër kanë kërkuar që shefja e diplomacisë austriake të japë dorëheqjen pas kësaj ftese.

Bisedimet informale të Putinit me Merkelin do të prekin një sërë temash, por vëmendja është fokusuar në mënyrë të veçantë tek Nord Stream 2; Gjermania po përballet me një presion në rritje të Shteteve të Bashkuara për të ndaluar punimet në projektin e gazsjellesit që do të transportojë gaz nga Rusia.

Do të zhvillohen gjithashtu bisedime për konfliktet në Siri dhe në Ukrainën Lindore. Gjermania ndërmjetëson së bashku me Francën prej kohësh në konfliktin e ngrirë midis separatistëve prorusë dhe trupave qeveritare në Ukrainën Lindore. Çështja që diskutohet tani është nëse një trupë helmetkaltërt e Kombeve të Bashkuara do të mund të vëzhgojë një armëpushim të mundshëm dhe si mund ta bënte këtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat