Ngërçi me emigrantët e bllokuar, Salvini mund të përballet me procedura ligjore

Evropë

Ngërçi me emigrantët e bllokuar, Salvini mund të përballet me procedura ligjore

Më: 24 gusht 2018 Në ora: 21:38
Italia përballet me shkeljen e nenit 5 të Konventës europiane për të Drejtat e Njeriut.

Bashkimi Europian i është kundërpërgjigjur kërcënimit të qeverisë populiste italiane se do të ndërpresë pagesat e saj për buxhetin në Bruksel, mes mosmarrëveshjeje mbi një anije shpëtimi me refugjatë e emigrantë, teksa prokurorë nga Siçilia kanë udhëtuar drejt Romës për të marrë në pyetje zyrtarët vendas, përfshi ministrin e Brendshëm të ekstremit të djathtë, Matteo Salvini, mbi ndalimin e paligjshëm të tyre në bordin e anijes.

Hetimi i ndërmarrë nga prokurorë nga Agrigento u nis kundër “të panjohurve”. Burime thonë se Salvini rrezikoi të merrej nën hetim për shkak se ishte përgjegjës për ndalimin e zbarkimit të tyre. Edhe pse prokurorët refuzuan ta konfirmojnë këtë zyrtarisht, burime të “The Guardian” thanë se Salvini mund të merret në pyetje gjatë ditëve në vijim.

Italia përballet me shkeljen e nenit 5 të Konventës europiane për të Drejtat e Njeriut. Sipas këtij neni, azilkërkuesit e ndaluar për mbi 48 orë duhet të lirohen menjëherë dhe duhet t’u jepet mundësia të aplikojnë për statusin e refugjatit.

Të premten, 150 emigrantët në bordin e anijes “Diciotti” nisën grevën e urisë në shenjë proteste ndaj vendimit të Salvinit për të mos lejuar zbarkimin e tyre.

Të enjten, zv.kryeministri italian kërcënoi se do të pezullonte kontributin financiar të vendit të tij drejt BE-së, nëse Brukseli nuk do të ndërhynte dhe të shpërndante 150 personat në bordin e anijes së Rojeve Bregdetare, “Ubaldo Diciotti”.

Luigi Di Maio, kreu i “Lëvizjes 5 Yjet”, që bashkëqeveris me “Lega Nord”-in e ekstremit të djathtë, tha se nëse Bashkimi Europian nuk do të vepronte urgjentisht, partia e tij nuk do të pranojë të japë 20 miliardë euro çdo vit për bllokun europian.

Komisioni Europian reagoi duke thënë se kërcënimet nuk ndihmojnë dhe bëri thirrje ndaj të gjitha vendeve të përfshira në këtë çështje të gjenin një zgjidhje për t’i ndihmuar personat në bordin e anijes.

Së bashku me Gjermaninë, Francën dhe Britaninë, Italia është një nga kontribuesit më të mëdhenj në buxhetin e BE-së, pagesa që bëhen për politikat e përbashkëta si pagesat ndaj fermerëve, projekteve infrastrukturore dhe drejtimin e bllokut. Kontributi i Italisë përllogaritet të ketë qenë 2.3 miliardë euro në vitin 2017.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat