Centristët evropianë nën trysninë e dy skajeve politike

Evropë

Centristët evropianë nën trysninë e dy skajeve politike

Më: 27 gusht 2018 Në ora: 22:55
Në Gjermani, populistët e ekstremit të djathtë po e duatrokasin një lëvizje të re majtiste të quajtur “Aufstehen”, që do të thotë “Të ngrihemi”.

Centristët e Evropës vazhdimisht janë ndodhur nën presionin e populistëve nga e djathta dhe e majta, por analistët thonë se një sfidë edhe më e madhe është në formim e sipër. Partitë euroskeptike, nacionaliste dhe ato jotradicionale nga skajet e kundërta të spektrit politik po fillojnë të bashkëpunojnë dhe t’i bëjnë akoma më shumë jehonë njëra-tjetrës në dënimin e elitave liberale, NATO-s, globalizimit dhe refugjatëve myslimanë.

Në Gjermani, populistët e ekstremit të djathtë po e duatrokasin një lëvizje të re majtiste të quajtur “Aufstehen”, që do të thotë “Të ngrihemi”.

E themeluar nga deputetja dhe autorja Sahra Wagenknecht, e cila është gjithashtu bashkëkryesuese e Die Linke, një parti socialiste e cila u shkri me ish-komunistët e Gjermanisë lindore, Aufstehen paraqet argumentet e së majtës për kufizimin e migrimit dhe synon të frenojë kalimin e votuesve nga provincat drejt partisë AfD, Alternativa e djathtë ekstreme për Gjermaninë, e cila është tani partia kryesore e opozitës në parlamentin gjerman.

Manifesti i partisë Aufstehen do të publikohet muajin e ardhshëm, por parimi i tij themelues është të grumbullojë votuesit tradicionalë të shtresës punëtore, të cilët janë margjinalizuar nga politikat liberale të së majtës tradicionale, e përfaqësuar nga Social Demokratët, aktualisht një partner i vogël në qeverinë e koalicionit të kancelares Angela Merkel dhe partia Die Linke e zonjës Wagenknecht.

Më shumë se 700,000 votues të Partisë Social Demokratike (SPD) kaluan drejt së djathtës ekstreme në zgjedhjet e vitit të kaluar. Die Linke humbi pothuajse gjysmë milion votues ndaj AfD-së ndërsa Partia e Gjelbërt humbi 330,000. Sondazhet tregonin se kundërshtimi i AfD-së ndaj emigracionit ishte elementi kryesor që e futi atë në Bundestag, duke shënuar një fazë të re befasuese në ecurinë e kësaj partie nga skajet e politikës gjermane drejt qendrës së pushtetit në Berlin.

Zonja Wagenknecht synon që Aufstehen të bëhet një alternativë e majtë ndaj AfD-së dhe po argumenton në favor të kufizimeve të rrepta ndaj refugjatëve, me arsyen se ata po shkaktojnë uljen e pagave të punëtorëve gjermanë. Ajo ka kritikuar me forcë politikat e zonjës Merkel për kufijtë e hapur, po ashtu siç bëjnë edhe ekstremistët.

"Kjo ka të bëjë me guximin për të mposhtur rrymën neoliberale, për një politikë sociale në interes të shumicës", tha zonja Wagenknecht për portalin e lajmeve Nachdenkenseiten.de. "Globalizimi i nxitur nga korporatat, shpërbërja e shtetit të mirëqenies, një varg i pafund i lufttrash të reja - kjo nuk është forcë e natyrës. Ekzistojnë alternativa ndaj kësaj dhe ne duam t'u japim njerëzve shpresën se politika mund të ndryshohet", tha ajo.

Komente të tilla kanë patur miratimin e figurave të ekstremit të djathtë, duke përfshirë udhëheqësin e AfD Aleksandër Gauland, i cili ka përshëndetur qëndrimin e saj kundër imigracionit dhe ndan ndjenjat e saj pro-ruse. Ai ka ofruar bashkëpunim me zonjën Wagenknecht në një aleancë fushate.

Si Garland ashtu edhe Wagenknecht kanë hedhur dyshime rreth akuzave për përfshirjen e Kremlinit në helmimin këtë vit në Britani të një agjenti rus dhe vajzës së tij. Helmimi u bë shkak për dëbime kolektive nga vendet perëndimore të diplomatëve rusë dhe këtë muaj imponimin e sanksioneve të reja amerikane ndaj Moskës.

Jurgen Elsasser, redaktor i revistës politike Compact, e lidhur me AfD, e lavdëron rregullisht zonjën Wagenknecht, duke argumentuar se e majta tradicionale ka humbur kontaktin me rrënjët anti-kapitaliste, diçka që ai beson se zonja Wagenknecht e kupton.

Në një artikull të kohëve të fundit ai i kërkoi Wagenknecht dhe bashkëshkortit të saj, Oskar Lafontaine, ish-ministër gjerman i financave, për ta transformuar partinë Aufstehen në një parti elektorale. "AfD më në fund do të kishte një partner koalicioni i cili do të ishte më i besueshëm se partitë e vjetra," shkruante ai kohët e fundit, duke e krahasuar një perspektivë të tillë me qeverinë e koalicionit në Itali midis Legas të ekstremit të djathtë dhe lëvizjes anti-tradicionale Movimento Cinque Stelle.

Gazeta e majtë e Francës, Libération, e ka dënuar partinë Aufstehen.

Por jo vetëm në Gjermani dhe Itali politikat po ndryshojnë dhe po krijojnë bashkëpunime dhe shtrirje të çuditshme oportuniste, siç ndodhi edhe në vitet 1930 në Evropë.

Wagenknecht thotë se frymëzimi për partinë Aufstehen ishte lëvizja La France Insoumise, një lëvizje populiste majtiste e themeluar nga Jean-Luc Mélenchon, kandidat në zgjedhjet e fundit presidenciale të Francës. Ai arriti të marrë 19 përqind të votave në balotazhin përfundimtar.

Mélenchon, ish-senator 65-vjeçar dhe ish-ministër socialist, është gjithashtu miqësor ndaj Rusisë dhe kritik i NATO-s, i cili dëshiron që Franca të tërhiqet nga traktatet e BE-së. Ai ka vënë gjithashtu në shënjestër emigrantët e huaj, duke thënë se nuk është dakord me emigrantët “që vjedhin bukën e punëtorëve francezë”.

Gjithnjë e më shumë figura autoritare të së majtës dhe të djathtës po bashkohen përsa i përket çështjeve kyçe të imigracionit, BE-së dhe Rusisë. Kjo vjen në një kohë kur skajet e kundërta të spektrit politik po përpiqen të përfitojnë nga zemërimi që ka përfshirë votuesit evropianë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat