Spanja, drejt ndryshimit të politikës ndaj imigrantëve

Evropë

Spanja, drejt ndryshimit të politikës ndaj imigrantëve

Më: 30 gusht 2018 Në ora: 20:03
Spanjë

Spanja, e njohur si një ndër vendet me politikat më tolerante të emigracionit në Evropë dhe që ka pranuar anije të tëra me emigrantë, kur asnjë vend tjetër i BE nuk do ta kishte bërë, pritej t’i hapte dyert e saj edhe më shumë nën qeverinë e re socialiste. Por kjo politikë tani duket se po ndryshon me vendimin e mbretërisë spanjolle për të deportuar 166 njerëz nga Afrika Nënsahariane të cilët luftuan me policinë dhe thyen një gardh kufitar muajin e kaluar.

Në një vend që ka shmangur rrymat kundër emigracionit në pjesën më të madhe të Evropës, dëbimi masiv i afrikanëve që e çanë rrugën e tyre përmes gardheve me tela me gjemba dhe sulmuan rojet përgjatë kufirit të enklavës spanjolle të Ceutës me Marokun, është kthyer në një shqetësim për Kryeministrin Pedro Sanchez, thonë zyrtarët dhe analistët.

"Humanizëm nuk do të thotë leje për gjithçka", tha ministri i brendshëm Fernando Grande-Marlaska përpara një seance parlamentare të mërkurën. "Emigracioni i rregullt, i sigurt dhe i ligjshëm është i mundur, por jo migrimi i dhunshëm që kërcënon vendin tonë dhe forcat e tij të sigurisë".

Më shumë se 600 emigrantë hynë me forcë në territorin spanjoll duke çarë gardhin rreth gjashtë metra të lartë më 26 korrik. Ata sulmuan rojet me acid, jashtëqitje dhe flakëhedhëse. Disa pjesëtarë të Gardës Civile spanjolle u plagosën rëndë, duke bërë që komandantët e tyre të lartë të kërkonin masa të menjëhershme si kundërpërgjigje.

Spanja në përgjithësi ka zbatuar një politikë që u jep azil migrantëve të cilët arrijnë nga deti ose përmes kufijve tokësorë rreth Ceutës dhe Melillës, enklava spanjolle brenda Marokut. Azilkërkuesit në përgjithësi janë vendosur në strehimore të përkohshme, ndërsa OJQ-të përpunojnë aplikimet e tyre për qarkullim të lirë në vendet e BE-së.

Shumë prej tyre vijnë me plane për të vazhduar rrugën drejt Evropës veriore, ku pagat dhe përfitimet janë më të mira, duke bërë që qeveritë e tjera të BE-së të ankohen për politikat e kufijve relativisht të hapur të Spanjës. Presidenti francez Emmanuel Macron ka urdhëruar kohët e fundit deportimin e një numri të madh të emigrantësh afrikanë që kanë kaluar në vendin e tij nga Spanja./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat