Erdogan premton vendosjen e zonave të sigurta afër Eufratit në Siri

Evropë

Erdogan premton vendosjen e zonave të sigurta afër Eufratit në Siri

Më: 24 shtator 2018 Në ora: 10:51
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Turqia do të marrë masa në lindje të Lumit Eufrat në Siri dhe do të vendosë zona të sigurta, ashtu siç ka bërë në veriperëndim të këtij shteti, ka deklaruar të hënën presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, transmeton Reuters.

Më herët gjatë këtij viti, Turqia ka nisur operacion ushtarak për të fituar kontrollin e rajonit Afrin në Siri, zonë, e cila më parë zotërohej nga kurdët sirianë në kuadër të Njësiteve për Mbrojtjen e Popullit (YPG).

Këtë të fundit, Ankaraja e konsideron organizatë terroriste.

“Me vullnetin e Zotit brenda një periudhe kohore, do të rrisim numrin e zonave të sigurta në Siri, duke rrethuar rajonin në lindje të Eufratit”, ka thënë Erdogan në një fjalim gjatë një vizite në Nju Jork.

Erdogan ka paralajmëruar në të kaluarën për operacione ushtarake kundër YPG-së, në kufirin me Sirinë madje nëse është e nevojshme edhe në veri të Irakut.

Mirëpo zgjerimi i fushatës ushtarake të Turqisë, në territoret e kontrolluara nga kurdët rrezikon përballjen me trupat e Shteteve të Bashkuara, të cilat janë të pozicionuara me forcat kurde në lindje të lumit Eufrat.

Njësitet kurde janë kthyer në aleatin kyç të SHBA-së, pas luftimit të grupit ekstremist, Shteti Islamik në Siri.

Komentet e Erdoganit kanë ardhur një javë pasi ai dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin kanë bërë të ditur një marrëveshje, në të cilën trupat ruse dhe ato turke do të krijojnë një zonë të demilitarizuar në rajonin Idlib të Sirisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat