Erdogan inaguron Xhaminë Qendrore të Kölnit - Protesta

Evropë

Erdogan inaguron Xhaminë Qendrore të Kölnit - Protesta

Më: 30 shtator 2018 Në ora: 00:25
Xhamia Qendrore e Kölnit është një nga xhamitë më të mëdha në Europë

Të shtunën (29.09) presidenti turk, Erdogan merr pjesë në hapjen zyrtare të xhamisë qendrore të Kölnit, shoqëruar nga protestat kundër vizitës së tij. Policia llogarit me mijëra protestues në Köln.

Presidenti turk, Erdogan të shtunën qëndron në Köln, ditën e fundit të vizitës në Gjermani, për të inaguruar zyrtarisht xhaminë qendore të Kölnit. Në një fjalim për afër 20 minuta, presidenti turk pritet të prekë edhe shqetësimin për rritjen e radikalizmit të djathtë në Gjermani. Kështu është shprehur për agjencinë gjermane të lajmeve dpa, deputeti i partisë qeverisëse në Turqi, AKP, Mustafa Yeneroglu.

Vizita e tij në Köln shoqërohet me protesta. Në të dyja demonstratat që organizohen në Köln kundër presidentit Erdogan priten mijëra protestues. Në një lagje të Kölnit protesta e parë filloi në mesditë. Një aleancë e Kölnit kundër vizitës së Erdoganit,  ku marrin pjesë të majtë dhe kurdë organizoi protestën. Pjesëmarrësit mbanin pankarta ku shkruhej "Ndalni diktaturën Erdogan", ose "Erdogan shko në shtëpi." Por në rrugët e Kölnit kanë dalë edhe përkrahës të presidentit Erdogan. Në afërsi të stacionit kryesor të trenit protestohet kundër „esktremizmit dhe dhunës", protestë, të cilën policia e kategorizon si të spektrit të djathtë. Përballë tyre proteston të shtunën edhe grupimi „Kölni kundër djathtizmit". Policia duhet të ndajë grupimet nga njëri-tjetri.

Image

Presidenti turk u takua të shtunën edhe me kryeministrin e landit të Renanisë-Veriore-Vestfalisë, Armin Laschet. Takimi i planifikuar në një kështjellë duhej të ndryshohej, sepse pronarët e saj e refuzuan atë për arsye të bindjeve të tyre politike. Laschet takohet pasdreken e së shtunës me presidentin turk në ambientet e aeroportit të Kölnit. Të shtunën Erdogan e mbylli qëndrimin në Berlin me një mëngjes pune me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Erdogan largohet nga Gjermania të shtunën rreth orës 18:00.

Ditib nën kritika

Pas takimit me Armin Laschet, Erdogan inaguron xhaminë qendrore të Kölnit. Kjo është një xhami e Unionit Turko-Islamik, Ditib që shihet në Gjermani si krahu i zgjatur i qeverisë turke. Ditib nga ana e saj e mohon këtë dhe thotë, se është një organizatë e pavarur. Në ceremoninë e hapjes së xhamisë qendrore nuk do të marrin pjesë politikanë gjermanë të nivelit të lartë.

Image

Kryeministri i landit, Armin Laschet u shpreh se nuk e sheh xhamin si vendin e përshtatshëm për dialogun kritik që ai ka parasysh dhe këmbimin e hapur të mendimeve. Edhe kryebashkiakja e Kölnit, Henriette Reker (pa parti) nuk merr pjesë. Ajo e argumentoi mospjesëmarrjen e saj me sjelljen e Ditib, të cilën ajo e akuzoi për mungesë respekti.

Laschet e ka kritikuar organizatën Ditib para takimit me Erdogan. „Parimisht Ditib duhet të përqëndrohet tek puna teologjike dhe jo të bëjë politikë", tha politikani i CDU-së për gazetën „taz". „Jo të vëzhgojnë njerëzit e Gylenit apo të luten për pushtimin e Sirisë. Me këtë kalohet një kufi." Kritika për punën e Ditib erdhën edhe nga politikani i Gjelbër, Cem Özdemir. Ai u shpreh se „nuk duhet të tolerohet" që „politika e integrimit të minohet përmes shoqatës së xhamive, Ditib". Sipas Özdemir „xhamitë nuk janë qendra partiake dhe imamët nuk janë aty për të spiunuar opozitarët."

Një aktivitet të planifikuar para xhamisë, ku Ditib kishte ftuar 25.000 vetë, Kölni e refuzoi për shkak të shqetësimeve të mëdha për sigurinë. Henriette Reker tha se nga Ditib nuk është një ofruar një koncept i mjaftueshëm për sigurinë.

Xhamia Qendrore e Kölnit është një nga xhamitë më të mëdha në Europë. Një kompleks modern betoni dhe xhami e ngritur nga dy arkitektë gjermanë, me një kupolë 36,5 metra të lartë dhe një minare 55 metra të lartë. Falja e parë në xhami u bë në qershor 2017. Fillimisht ndërtimi i xhamisë u shoqërua me protesta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat