Britania i akuzon spiunët rusë për sulme kibernetike

Evropë

Britania i akuzon spiunët rusë për sulme kibernetike

Më: 4 tetor 2018 Në ora: 11:56
Sekrtetari i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt

Britania akuzoi inteligjencën ushtarake ruse për një mori sulmesh kibernetike, me qëllim dëmtimin e institucioneve të rëndësishme perëndimore.

Një raport për sigurinë kombëtare të Britanisë konstatoi se Agjencia e Inteligjencës Ushtarake të Rusisë (GRU) është “agresore shkatërruese kibernetike”, që përdor një rrjet hakerësh për të përhapur mosmarrëveshje dhe konfuzion në gjithë botën.

GRU, thuhet në raport, qëndron me siguri pas sulmit me softuerin "BadRabbit", vitin e kaluar, ndaj një aeroporti ndërkombëtar të Ukrainës, si dhe pas piraterimit të Agjencisë Botërore Anti-Doping në Zvicër.

Raporti i Qeverisë britanike po ashtu konstatoi se GRU qëndron pas piraterimit të emaileve të Komitetit Kombëtar të Partisë Demokrate në SHBA, që dëmtuan kandidaten për presidente të SHBA-së, Hillary Clinton. Kjo e fundit u mund nga republikani Donald Trump, në zgjedhjet e vitit 2016.

"Veprimet e agjencisë GRU janë të pamatura: ato përpiqen të minojnë dhe të ndërhyjnë në zgjedhje, duke sulmuar në mënyrë të qartë demokracinë perëndimore”, tha sekretari i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt.

"Mesazhi ynë është i qartë: së bashku me aleatët tanë, do t'i ekspozojmë dhe do t'iu përgjigjemi përpjekjeve të GRU-së për të minuar stabilitetin ndërkombëtar", tha ai.

Raporti britanik tha se GRU është e lidhur me një mori hakerësh të përfshirë në sulme të profilit të lartë dhe të njohur me emra të tillë si APT 28, Fancy Bear, Sofacy, Storm pengu, Sednit, CyberCaliphate, Cyber Berkut, Voodoo Bear dhe BlackEnergy Actors.

"Ky model i sjelljes tregon dëshirën e tyre për të vepruar pa marrë parasysh ligjin ndërkombëtar ose normat e vendosura dhe me ndjenjën e mosndëshkimit", tha Hunt.

Shtetet e Bashkuara tashmë e kanë akuzuar GRU-në për sulme kibernetike para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 dhe kanë sanksionuar zyrtarë të saj - përfshirë shefin Igor Korobov - për veprimet e tyre të dyshuara.

Thesari i Shteteve të Bashkuara ka thënë në muajin mars se GRU "me vetëdije angazhohet në aktivitete që dëmtojnë sigurinë kibernetike, në emër të Qeverisë ruse".

Edhe pse më pak e njohur se KGB-ja - agjencia e spiunazhit e Bashkimit Sovjetik - GRU ka luajtur rol të madh në disa nga ngjarjet më të mëdha gjatë shekullit të kaluar, nga kriza e raketave kubane në vitet 1960 deri në aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë, në vitin 2014.

GRU ka agjentë në gjithë globin dhe përgjigjet drejtpërdrejt te shefi i shtabit të përgjithshëm dhe ministri rus i Mbrojtjes. GRU nuk komenton publikisht për veprimet e veta. Struktura, numri i stafit dhe financimi i saj janë sekrete shtetërore ruse.

Kryeministrja britanike, Theresa May, ka thënë se oficerët e GRU-së qëndrojnë pas përpjekjes për të vrarë ish-agjentin rus, Sergei Skripal, dhe vajzën e tij me një agjent nervor në qytetin anglez Sallsbëri, në muajin mars. Rusia i ka mohuar akuzat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat