Gjermania dhe Izraeli: Një fazë e re e marrëdhënieve

Evropë

Gjermania dhe Izraeli: Një fazë e re e marrëdhënieve

Më: 5 tetor 2018 Në ora: 11:05
Angela Merkel

Irani dhe shqetësimi për antisemitizmin në Gjermani - dy temat përcaktuese për vizitën e kancelares gjermane në Izrael. Merkeli është në vizitë me shumë ministra të kabinetit qeveritar.

Në Jeruzalem qeveritarët gjermanë dhe izraelitë zhvilluan konsultime bilaterale pas një ndërprerjeje të gjatë. Të përbashkëtat duhen theksuar, por megjithatë mbeten pikat fundamentale të debatueshme. Izraeli i kërkoi Gjermanisë që të kalojë në anën e tij në luftën kundër një armatimi bërthamor të Iranit. Në takimin me kancelaren Angela Merkel, Presidenti i Izraelit Reuven Rivlin e kritikoi Bashkimin Evropian për tregtinë me armikun e betuar të Izraelit, Iranin. Rivlini i bëri thirrje Evropës që të bashkohet me sanksionet e reja kundër Teheranit. "Monstra iraniane duhet të ngordhë urie, jo të ushqehet". Vetëm kështu mund të garantohet stabiliteti global. "Ne i lutemi Gjermanisë që të vihet në anën tonë, në kërkesën për ta mbikqyrur programin atomik iranian dhe që të mos e lejojë Iranin që të shkelë premtimet e tij", tha Rivlin.

Mendime të ndryshme për marrëveshjen atomike me Iranin

Image
Angela Merkel

Në një takim me studentët në Jeruzalem Merkeli tha se pajtohet plotësisht me qeverinë e Izraelit se duhet penguar një armatim bërthamor i Iranit. Megjithatë për rrugën si duhet arritur kjo ka mospajtime. Kërcënimi i Izraelit nga Irani është rritur në mënyrë të konsiderueshme, tha Merkel. Në luftën civile siriane, trupat iraniane qenë pozicionuar menjëherë pas lartësive Golan.

Marrëveshja atomike ndërkombëtare e arritur me Iranin në vitin 2015 është një nga pikat qendrore të mosmarrëveshjes midis qeverive të Izraelit dhe të Gjermanisë. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu e akuzon Merkelin për një kurs shumë të butë përballë Teheranit. Sipas Netanjahut, marrëveshja çon miliarda dollarë në duart e Teheranit, që mbështet terrorizmin islamik. Në dallim nga SHBA, Gjermania dhe shtete të tjera të BE duan ta shpëtojnë marrëveshjen. Presidenti amerikan Trump që e ka braktisur marrëveshjen pret që BE ta pasojë. 

Titulli i doktores së nderit për stilin e drejtimit të Merkelit

Image
Titulli i doktores së nderit

Më parë, në mëngjes, Universiteti Haifa i dha Merkelit titullin e Doktores së Nderit. Shkolla e lartë e argumentoi nderimin me stilin e drejtimit të kancelares, i cili bazohet në parimet e barazisë, të lirisë dhe të të drejtave të njeriut. Në dhënien e çmimin në Muzeun e Izraelit, Merkeli e quajti miqësinë e ndërtuar me Izraelin një "dhuratë të paçmueshme", pikërisht përballë Holokaustit.

Merkeli bëri në mëngjes edhe një vizitë në qendrën përkujtimore të Holokaustit Yad Vashem dhe vuri atje një kurorë. Me një shënim në librin e vizitorëve ajo kujtoi "krimet e pashembullta të thyerjes së civilizimit Shoah".

Image
Merkel dhe Netanjahu

Prej kësaj ushqehet "përgjegjësia e vazhdueshme e Gjermanisë për ta kujtuar këtë krim dhe për ta kundërshtuar antisemitizmin, armiqësinë kundër të huajve, urrejtjen dhe dhunën." Qeveria Federale gjermane ngrihet kundër antisemitizmit - "pavarësisht se prej ku vjen ai dhe në cilën formë shprehet", u shpreh Merkeli. Sot, shkroi ajo, në Gjermani - dhe kjo është një mrekulli - ka një jete hebreje që lulëzon.

Në takimin me kryeministrin Netanjahu në mbrëmjen e së mërkurës, Gjermania dhe Izraeli ranë dakord për një bashkëpunim më të ngushtë në fushat e ekonomisë, shkencës dhe sigurisë kibernetike. Merkelin e shoqëron një numër i madh përfaqësuesish të ekonomisë gjermane./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat