Turqi, vdesin dy emigrantë. Lundronin me varkë drejt ishullit grek

Evropë

Turqi, vdesin dy emigrantë. Lundronin me varkë drejt ishullit grek

Më: 22 tetor 2018 Në ora: 10:48
Foto ilustrim

Dy persona kanë humbur jetën këtë të hënë, teksa një varkë e papërshtatshme për lundrim që kishte mbi të emigrantë të paligjshëm u mbyt në brigjet jugperëndimore të Turqisë. Lajmi konfirmohet nga rojet bregdetare turke.

Plot 17 të tjerë arritën të shpëtoheshin, në kohën kur varka pësoi avari vetëm 50 metra larg brigjeve të Bodrumit, në provincën Mugla, njoftojnë zyrtarët policorë turq.

Fillimisht në spital u dërguan 20 vetë, përfshi edhe 3 persona që mundën të dilnin me not në breg pa pasur nevojë për asistencë, por dy prej tyre humbën jetën më vonë.

“Kërkimet dhe përpjekjet për shpëtim po vazhdojnë, – thotë Roja bregdetare. – Varka, që besohej se mbante rreth 30 persona, ishte nisur për në ishullin grek të Kosit”, raporton televizioni “NTV”.

Zyrtarët nuk japin detaje mbi kombësinë e emigrantëve, megjithatë Turqia dihet që strehon mbi 3 milionë refugjatë sirianë dhe rreth 300 mijë irakianë. Turqia është gjithashtu një nga vendet tranzit që shfrytëzohen nga emigrantët që iu shmangen konflikteve dhe varfërisë, në përpjekje për të mbërritur në Europë.

Numri i emigrantëve që mbërrijnë në kontinentin e vjetër është zvogëluar shumë, që prej fluksit të jashtëzakonshëm që kapi pikun në vitin 2015, kur më shumë se një milion refugjatë hynë në Greqi nga Turqia, shumica e të cilëve me varka.

Turqia dhe Bashkimi Europian kanë nënshkruar një marrëveshje në vitin 2016 për të frenuar fluksin e emigrantëve, me Ankaranë që ka rënë dakord të marrë mbrapsht emigrantët që zbresin në ishujt grekë në këmbim të lëshimeve, përfshi këtu ndihma financiare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat