Paris, arrestohet 30-vjeçari që kërkonte të rishiste një këlysh luani

Evropë

Paris, arrestohet 30-vjeçari që kërkonte të rishiste një këlysh luani

Më: 24 tetor 2018 Në ora: 09:19
Këlyshi luani

Policia franceze gjeti një këlysh luani vetëm 6-javësh në një apartament në periferi të Parisit dhe arrestoi zotëruesin 30-vjeçar të tij.

Këlyshi i gjinisë femërore u zbulua në një krevat fëmijësh në apartamentin e fqinjëve të të dyshuarit 30-vjeçar, i cili u gjet i fshehur në një dollap, thanë burime me njohuri nga hetimi. Gjendja shëndetësore e luanit të vogël ishte e mirë, ndërsa më pas policia ua dorëzoi autoriteteve të botës së egër.

Policia ishte vënë në alarm nga videot që qarkullonin në mediet sociale, në të cilat shihej personi mashkull që kërkonte ta shiste luanin e vogël për rreth 10 mijë euro.

Ende nuk dihet se nga vinte ai luan, por burimet e medieve franceze thonë se i dyshuari e kishte blerë atë me qëllim për ta shitur sërish, e me të gjitha gjasat ai mund të ishte vjedhur.

Sipas “Le Parisien”, edhe i dyshuari ka pasur precedentë të mëparshëm penalë për vjedhje.

Kjo nuk është hera e parë për policinë franceze që gjen mace të egra të mbajtura në mënyrë të paligjshme. Në vitin 2017, policia gjeti një tjetër këlysh luani të dobësuar në një apartament në Paris, i cili mbahej nga një person që bënte “selfie” me të.

Ngjarja e një viti më parë përfundoi me një fund të lumtur, teksa në gusht luani u dërgua në një rezervat kafshësh të egra në Afrikën e Jugut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat