Erdogan: Hapja historike e aeroportit është simbol i suksesit gjatë 95 viteve

Evropë

Erdogan: Hapja historike e aeroportit është simbol i suksesit gjatë 95 viteve

Më: 29 tetor 2018 Në ora: 11:43
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se inaugurimi historik i aeroportit të ri në Stamboll është forca, vendosmëria dhe simboli i sukseseve të cilat Turqia i ka arritur në 95 vite.

Zyrtarë të lartë të shtetit të Turqisë në kryesimin e presidentit Erdogan kanë vizituar mauzoleun e Mustafa Kemal Ataturkut “Antkabir” në Ankara me rastin e shënimit të festës kombëtare të Ditës së Republikës.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, në mauzoleun e Ataturkut vendosi kurorën me motivet me hënë dhe më pas u intonua himni kombëtar.

“I dashur Ataturk, sot në 95-vjetorin e shpalljes së Republikës sonë duke përfaqësuar popullin turk ndodhemi përpara jush shpirtërisht me krenari dhe emocione të mëdha. Më këtë rast përkujtojmë dhe urojmë mëshirën e Allahut mbi shokët e tu të luftës, të gjithë veteranë dhe dëshmorët tanë”, shkroi Erdogan në librin e veçantë të Mauzoleut.

Presidenti Erdogan në teksin e shkruar potencoi se përvjetorin e 95-të të Republikës e festojnë sot me hapjen e aeroportit të ri në Stamboll, i cili është një prej projekteve më prestigjioze të botës.

“Kjo hapje historike, të cilën po e realizojmë në një periudhë ku janë intensifikuar sulmet me objektiv ekonominë tonë, është forca, vendosmëria dhe simboli i sukseseve të cilat Turqia i ka arritur në 95 vite”, theksoi ai.

Erdogan, gjatë vizitës së Mauzoleunit të Ataturkut ishte i shoqëruar nga kryetari i Parlamentit të Turqisë, Binali Yildirim, zv/presidenti turk, Fuat Oktay, kryetari i partisë CHP, Kemal Kiçdaroglu, kryetari i partisë MHP, Devlet Bahçeli, kryetarja e Partisë së Mirë, Meral Aksener, kryetari i partisë BBP, Mustafa Destici, përfaqësues të lartë gjyqësorë, anëtarë të Kabinetit Presidencial të Turqisë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Yasar Guler, si dhe nga komandantë të forcave dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë.

Në fund të ceremonisë, Mauzoleuni u hap për vizita edhe nga qytetarët.

Ndryshe, sot hapet aeroporti i ri në Stamboll. Ceremonia e hapjes së fazës së parë të këtij aeroporti, i cili është një prej aeroporteve më të mëdhenj në botë, do të fillojë në orën 16:30 sipas kohës lokale, me pjesëmarrjen e presidentin Erdogan dhe disa udhëheqësve nga mbarë bota.

Shpallja zyrtare e Republikës Turke nga Ataturku u bë më 29 tetor të vitit 1923 kur u shpallën emri i kombit dhe statusi i saj si republikë.

Në një votim që u zhvillua pastaj në Asamblenë e Madhe Kombëtare, Ataturku, një burrë shteti revolucionar, me një votim unanim u zgjodh president i parë i Republikës së Turqisë. Që atëherë, Turqia çdo vit më 29 tetor feston Ditën e Republikës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat