“Nuk kam lindur kancelare, është koha për të nisur një kapitull të ri”

Evropë

“Nuk kam lindur kancelare, është koha për të nisur një kapitull të ri”

Më: 29 tetor 2018 Në ora: 18:48
Angela Merkel

Rezultati i dobët i zgjedhjeve në landin e Hesenit ka bërë që kancelarja gjermane, Angela Merkel të heqë dorë nga drejtimi i partisë nga dhjetori e në vazhdim. Ajo është shprehur se nuk do jetë më kancelare pas vitit 2021.

“Është koha për të nisur një kapitull të ri. E kam thënë edhe njëherë: nuk kam lindur kancelare. Dhe këtë nuk do e harroj kurrë,” tha Merkel.

Më parë zonja Merkel kishte lënë të kuptohej se kishte ndër mend të kërkonte një mandat tjetër dyvjeçar, por duket se veproi me shpejtësi në përgjigje të presionit për udhëheqje të re. Zonja Merkel ka drejtuar partinë që nga viti 2000 dhe është kancelare e Gjermanisë që nga viti 2005.

“Me këtë vendim, po përpiqem të jap një kontribut që i jep mundësi qeverisë gjermane, të përqendrohet tek përpjekjet për qeverisje të mirë, diçka që njerëzit e kërkojnë me të drejtë”, tha zonja Merkel.

Paraardhësi i zonjës Merkel, Gerhard Schroeder dhe dorëheqjen si udhëheqës i socialdemokratëve të së majtës së qendrës në vitin 2004, ndërsa qeveria e tij po përballej me sfida por e mbajti postin e kancelarit.

Për vite me radhë zonja Merkel ka këmbëngulur se kancelari duhet të jetë edhe kryetar partie.

Aktualisht zonja Merkel qeveris Gjermaninë me një “koalicion të madh” të partive më të mëdha të vendit: CDU, Bashkimi Kristian-Social dhe socialdemokratët. Mandati i saj i katërt filloi në mars por qeveria e saj ka pasur debate të ashpra të brendshme.

Zhvillimet e të hënës vijnë pasi CDU-ja doli e para, por me humbje mbështetjeje në zgjedhjet në shtetin perëndimor Hesse të dielën, gara e dytë zgjedhore ku pësoi rënie brenda dy javësh për aleancën konservatore të zonjës Merkel.

Tërheqja nga posti i kryetares së partisë do t’i jepte mundësi një personi tjetër nga radhët e CDU-së që të krijojë një profil të vetin para zgjedhjeve të ardhshme kombëtare në vitin 2021.

Sekretarja e Përgjithshme e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer është favoritja e zonjës Merkel për ta pasuar atë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat