Zbulohet plani i Kinës për të dominuar Evropën Jugore

Evropë

Zbulohet plani i Kinës për të dominuar Evropën Jugore

Më: 1 nëntor 2018 Në ora: 23:40
Ilustrim

Në Evropën Jugore po rikthehen investimet bujare kineze. Ky rajon, është objektivi më i fundit në fushatën e saj të ndikimit, për të ngulitur praninë e vet ekonomike, kulturore dhe diplomatike në mbarë botën. Kompanitë shtetërore kineze, po përdorin levat e tyre financiare, për të ngritur “fortesat” e tyre në Portugali, Greqi dhe Itali.

Që nga kriza financiare e vitit 2008, Kina është bërë një kreditore e rëndësishme e shumë vendeve të Bashkimit Evropian me borxhe të mëdha. Portugalia, Greqia dhe Italia, u detyruan

të privatizonin disa nga asetet e tyre shtetërore, pas krizës së borxhit të eurozonës, duke i bërë kësisoj ekonomitë e tyre pjesërisht të varura nga investitorët kinezë.

Shtrirja e ndikimit përmes privatizimeve po shumëfishohet. Strategjia kineze e investimeve në Evropën Jugore, ka përfshirë blerje të rëndësishme të kompanive të mëdha evropiane. Kur Portugalia filloi privatizimin e disa prej shërbimeve të saj, China Three Gorges Corporation (CTG), një kompani kineze e energjisë elektrike, u bë aksionere e Energias de Portugal SA (EDP), kompania kryesore e rrjetit energjitik shtetëror të vendit.

CTG po synon tani të blejë pjesën më të madhe të aksioneve të EDP. Investime të tjera kineze

në energjitikë, përfshijnë Redes Energéticas Nacionais dhe Galp Energia. Përveç kësaj, Kina ka blerë aksione në kompaninë shtetërore të transportit Transportes Aéreos Portugueses, kompaninë e sigurimeve Fidelidade, spitale, pasuri të paluajtshme dhe madje edhe media.

KNG, një fondacion kinez me qendër në Makau, bleu 30 për qind të Global Media Group, pronare e gazetave kryesore portugeze “Diário de Notícias” dhe “Jornal de Notícias”, si dhe radion TSF.

Por fushata e ndikimit e Kinës, nuk kufizohet vetëm në Portugali. Në Greqi, gjiganti i transportit detar China Overseas Shipping Group Company (COSCO), mori një licencë për të menaxhuar jo më pak se 67 për qind të portit më të madh grek, ai i Pireut pranë Athinës, duke krijuar një qendër mesdhetare për kompanitë kineze, duke sfiduar kësisoj pronarët e anijeve greke.

Në vendin fqinj, Itali, investitorët kinezë blenë marka të njohura, si prodhuesi i gomave Pirelli, apo prodhuesi i pjesëve të këmbimit Cifa. Fondacionet kineze, investuan në kompanitë energjetike strategjike italiane si Eni, Enel, apo agjensia italiane e energjisë elektrike CDP Reti (China State Grid zotëron tashmë 35 për qind të kapitalit të saj).

Për më tepër, investitorët kinezë kanë blerë aksione të kompanive Fiat Chrysler (automobila), Ferretti (jahte), Telecom Italia dhe dizajnerit të njohur të modës, Ferragamo. Investitorët kinezë kanë blerë edhe qindra biznese italiane të vogla dhe të mesme. A përkthehen këto aktivitete ekonomike në një ndikim politik të Kinës mbi këto vende?

Qëkur janë kryer këto investime, shumë nga vendet e përmendura më lart po bëhen mbështetëse të dukshme të Kinës në arenën ndërkombëtare. Në qershorin e vitit 2017, Greqia bllokoi një deklaratë të BE në Kombet e Bashkuara, që kritikonte shkeljen e të drejtave të njeriut në Kinë.

Diplomatët e BE-së, thanë se ai votim minoi përpjekjet për të vënë para përgjegjësinë Pekinin, për goditjet ndaj aktivistëve dhe disidentëve.

Një vit më parë, kur Komisioni Europian, i mbështetur nga Gjermania dhe Franca, bëri thirrje për një qasje më të kujdesshme ndaj investimeve të huaja në infrastrukturë ose teknologji, disa vende, përfshirë Greqinë, thanë se nuk do ta mbështesin këtë lëvizje.

Ndërkohë, Italia caktoi në mënyrë të papritur një ish-ekonomist të njohur me qendër në Shangai, Mikele Geraçi, si nënsekretar të vendit për zhvillimin ekonomik. Geraçi, ka qenë prej kohësh një mbështetës i investimeve kineze, dhe ka sugjeruar në deklarata të ndryshme për mediat, se Italia mund të bëhet një “mike e Kinës në Mesdhe”.

S’ka ka dyshim se Kina e ka përdorur rolin e saj ekonomik, për të forcar mbështetjen për synimet e saj ndërkombëtare. Krahas BE-së, Pekini ka krijuar një rrjet vendesh miqësore – nganjëherë përmes mekanizmave zyrtarë, sikurse është forumi 16 + 1 (ku Kina mbledh çdo vit 16 vende të Evropës Lindore dhe Qendrore); nganjëherë përmes proceseve jozyrtare dhe dypalëshe, veçanërisht në Evropën Jugore (ku përpjekjet për të krijuar një forum 5 + 1, nuk janë materializuar ende).

Në Greqi dhe Portugali, 2 ish-perandoritë evropiane me marrëdhënie të kufizuara historike me Kinën (jashtë kolonializmit), Pekini është bërë një lojtar i rëndësishëm. Ai ka filluar ndërtimin e një imazhi si një fuqi e pasur me para, që mund të ofrojë ndihmë financiare dhe mbështetje, në një kohë kur fuqitë perëndimore supozohet se janë “tërhequr”.

Ndërsa BE-ja ka vazhduar të vërë në plan të parë parimet e saj, duke përfshirë të drejtat e njeriut, Greqia dhe Portugalia janë bërë më të kujdesshme në kritikat ndaj Kinës në skenën botërore lidhur me çështjet e të drejtave të njeriut ose të diplomacisë, për të mos dëmtuar marrëdhëniet e begata ekonomike.

Ka shumë mundësi që Evropa Jugore, të shndërrohet në të ardhmen në një zonë me një ndikim të fortë kinez. Në një rajon të dobësuar ekonomikisht, dhe ku ka një rritje të ndjenjës anti-evropiane, qytetarët mund të shohin opsione alternative. Për shembull, sipas studimit global “Pew Research 2018”, qytetarët italiane dhe ata greke, janë duke pasur një qasje më pozitive ndaj Kinës, krahasuar me vitet e mëparshme.

Por vendet e Evropës Jugore janë demokraci, dhe anëtare të Bashkimit Evropian. Megjithëse nevojat e tyre ekonomike janë të kuptueshme, ato duhet t’u përmbahen rregullave dhe parimeve evropiane, për të mbetur anëtare të unionit. Në vend të përçarjes së BE-së, ato duhet të tubohen pas vlerave evropiane, dhe të mbeten të kujdesshme ndaj mirëpritjes së investimeve të huaja në fusha të ndjeshme si energjia, teknologjia dhe infrastruktura.

Nga ana e tij, Brukseli duhet të ofrojë alternativa, t’i përmbahet planit të vet për të përforcuar konsultimet në nivelin e BE-së për investimet strategjike, dhe të forcojë koordinimin – veçanërisht me Evropën Jugore.

Shënim: Philippe Le Corre, është bashkëpunëtore në think-tankun “Carnegie Endoëment for Peace International”, dhe autor i një raporti të sapo-publikuar “Ngritja e Kinës si një ndikuese gjeoekonomike”, duke pasur në fokus 4 vende evropiane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat