Udhëheqësit botërorë kanë marrë pjesë në një ceremoni në Paris, në nder të 100-vjetorit të nënshkrimit të armëpushimit që i dha fund Luftës së Parë Botërore.
Presidenti amerikan Donald Trump dhe udhëheqësi rus Vladimir Putin ishin mes atyre që morën pjesë në ceremoninë e zhvilluar nën Harkun e Triumfit.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe krerë të tjerë marshuan përmes harkut nën shi, me çadra të zeza, ndërsa kambanat e kishave dëgjoheshin ngado në qytet.
Presidenti Macron, përmes një fjalimi u kërkoi udhëheqësve botërorë të qëndrojnë të bashku në luftën për paqe.
“Le të ndërtojmë shpresat tona në vend që të mbetemi pengje të frikës kundrejt njëri-tjetrit. Patriotizmi është krejtësisht e kundërta e nacionalizmit”, tha Macron.
Rreth 70 krerë botërorë u mblodhën në kryeqytetin francez për ceremonitë. Presidenti Macron udhëhoqi ngjarjen kryesore të ditës, një nderim në varrin e “Ushtarit të Panjohur”, memorial kushtuar të rënëve të Francës nën Harkun e Triumfit. Shumë shfaqje të tjera janë zhvilluar ndërkohë në mbarë botën. Rreth 9.7 milionë ushtarë dhe 10 milionë civilë humbën jetën në Luftën e Parë Botërore, që zgjati nga viti 1914 deri në 1918-n.