Buxheti i Italisë; Qeveria s’tërhiqet nga politikat që bien ndesh me BE

Evropë

Buxheti i Italisë; Qeveria s’tërhiqet nga politikat që bien ndesh me BE

Më: 14 nëntor 2018 Në ora: 12:16
Kuveni i Itallisë

Qeveria italiane ka sfiduar Komisionin Europian duke i qëndruar planit të saj të buxhetit të fryrë të shpenzimeve. Numri dy i ekzekutivit në Romë, Matteo Salvini tha se objektivi i deficitit prej 2.4% dhe parashikimi i rritjes me 1.5% mbeten të pandryshuara.

Zëvendëskryeministri tjetër Luigi di Maio, nga Pesë Yjet u shpreh se në qeveri, kanë bindjen se ky është buxheti që i nevojitet vendit për të bërë përpara.

Ekzekutivi Italian është zotuar t’i japë fund varfërisë duke vendosur edhe një nivel të ardhurash minimale për të papunët; masat e tjera përfshijnë shkurtime taksash dhe heqjen dorë nga zgjatja e moshës se pensionit, duke përmbushur kështu disa prej zotimeve kyçe të fushatës elektorale në muajin mars.

Por Komisioni Europian i druhet impaktit që do të kenë shpenzimet e mëdha mbi borxhin edhe kështu të lartë të Italisë, ndaj i ka kërkuar Romës rishikimin e buxhetit, në të kundërt rrezikon penalizimin me gjobë. E marta ishte afati i fundit i vendosur partive populiste që përbëjnë qeverinë italiane për t’i kthyer përgjigje pretendimeve të tij. Paralajmërimi i krahut ekzekutiv të bllokut ndaj Italisë, ekonomia e tretë më e madhe e eurozonës, ishte një lëvizje e paprecedente ndaj një vendi anëtar të BE-së.

Ekonomia italiane është sot aktualisht më e dobët nga sa ka qenë në 2008-tën dhe argument i koalicionit qeverisës është se shtimi i shpenzimeve do t’i japë një shtysë rritjes ekonomike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat