BE alarmohet pas arrestimit të akademikëve dhe aktivistëve në Turqi

Evropë

BE alarmohet pas arrestimit të akademikëve dhe aktivistëve në Turqi

Më: 16 nëntor 2018 Në ora: 18:17
Foto ilustrim

Policia turke ka ndaluar 13 persona, duke përfshirë dy akademikë të mirënjohur në hetimet rreth aktivistit të burgosur, Osman Kavala, nën akuzat se ata kanë përkrahur atë kur ai ka synuar të rrëzojë qeverinë në protestat masive të vitit 2013, transmeton Reuters.

Kavala, lider i njohur i shoqërisë civile është arrestuar një vit më parë dhe është duke pritur gjykimin rreth tij, pasi autoritetet turke kanë vlerësuar se këto protesta kanë qenë vazhdimësi e tentimeve të dështuara për grushtshtet në korrik të vitit 2016.

Policia ka thënë se personat e arrestuar të premten janë akuzuar se kanë punuar me Kavalën në protestat e vitit 2013.

Të paktën 10 persona kanë vdekur dhe mijëra të tjerë janë plagosur në këto protesta, të cilat në atë kohë kanë qenë protestat më masive kundër Qeverisë së kryeministrit të atëhershëm, tani presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, duke treguar pakënaqësi për hyrjen në dekadën e dytë të tij si kryeministër.

Grupet për të drejtat e njeriut dhe anëtarë të Parlamentit Evropian kanë përsëritur vazhdimisht thirrjet ndaj Turqisë, anëtares së NATO-s, që ta lirojë Kavalën.

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim lidhur me ndalimin e akademikëve dhe aktivisitëve për të drejtat e njeriut duke kërkuar lirimin e tyre të shpejtë.

“Ndalimi i disa akademikëve të mirënjohur dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile këtë mëngjes është alarmant”, ka thënë Shërbimi i Bashkimit Evropian për Veprim të Jashtëm, në një deklaratë.

“Ndalimet e vazhdueshme të zërave kritikë dhe presioni në rritje ndaj përfaqësuesve të shoqërisë civile janë në kundërshtim me përkushtimin e deklaruar të Qeverisë Turke për të drejtat e njeriut”, ka thënë Shërbimi në të krye të të cilit është shefja e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat