Samit i BE-së për draftin e marrëveshjes me Britaninë e Madhe

Evropë

Samit i BE-së për draftin e marrëveshjes me Britaninë e Madhe

Më: 25 nëntor 2018 Në ora: 10:26
Britani

Të dielën zhvillohet samiti i posaçëm BE-Britani e Madhe për të vulosur deklaratën paraprake të ndarjes mes BE e Mbretërisë së Bashkuar. Grindja për Gjibraltarin hodhi hije deri në minutën e fundit. Spanja e hoqi veton.

Pas 17 muajsh negociatash të vështira, Bashkimi Europian dhe Britania e Madhe nënshkruajnë të dielën marrëveshjen paraprake për Brexit. Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez pas një ujdie për Gjibraltarin hoqi dorë të shtunën nga vetoja e planifikuar duke pohuar se Spanja do ta nënshkruajë marrëveshjen. „Spanja e ka hequr veton e saj dhe do të votojë për Brexit", tha Sanchez pas një takimi me mbretin Felipe VI në një fjalim televiziv. „Europa dhe Britania e Madhe i kanë pranuar kërkesat e Spanjës". Edhe kreu i Këshillit të BE, Donald Tusk deklaroi, se BE i arriti të gjitha qëllimet e saj dhe „e kaloi testin e unitetit dhe solidaritetit".

Negociata deri në minutën e fundit

Image
?Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez

Para samitit të BE-së të dielën, negociatorëve të BE-së dhe atyre britanikë u duhej të hiqnin nga udha e bisedimeve një pengesë të re e jo pak të rrezikshme për dështimin e plotë të samitit. Qeveria spanjolle kishte kërcënuar të premten me veton e saj kundër deklaratës së përbashkët BE-Britani e Madhe për shkak të Gjibraltarit. Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez kishte thënë, se Spanja nuk do ta miratojë marrëveshjen e arritur mes palëve, nëse nuk zgjidhet grindja për Gjibraltarin. Sanchez kërkonte ndryshime në draftin e marrëveshjes, sepse Spanja i trembej statusit të Gjibraltarit pas Brexit. Ky rajon ndodhet nga viti 1713 nën sovranitetin britanik, por pretendohet nga Spanja. Për shkak të pozicionit strategjik për tregtinë detare të Ngushticës së Gjibraltarit, prej kohësh ka grindje mes qeverive të Madridit dhe Londrës. Sanchez kishte kërkuar që pas Brexit, negociatat për të ardhmen e Gjibraltarit të drejtohen nga Spanja dhe jo nga BE. Diplomatët në Bruksel punuan të shtunën (24.11) me intensitet të lartë dhe ia dolën të gjenin një zgjidhje, që e zbuti qëndrimin spanjoll. Theresa May të shtunën në mbrëmje zhvilloi po ashtu takimin e fundit para samitit me kreun e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker.

Britania e Madhe më e ndarë se kurrë

Samiti i posaçëm i BE synon miratimin nga të gjitha vendet anëtare të draft-marrëveshjes për daljen e Britanisë së Madhe nga BE në mars 2019, si edhe një deklaratë politike për marrëdhëniet e ardhshme ekonomike dhe partneritetin e sigurisë mes palëve. Me këtë do të mbyllej zinxhiri i gjatë disavjeçar i negociatave BE dhe Britani e Madhe, por kjo nuk do të thotë se marrëveshja kalon përfundimisht.

Image
Britani

Vështirësia më e madhe për kryeministren britanike, Theresa May qëndron ende para saj, sepse marrëveshjen duhet që ta miratojë parlamenti britanik dhe aty miratimi i saj është më i pasigurtë se kurrë. Disa parti janë shprehur ndërkohë, se nuk do ta votojnë marrëveshjen e arritur nga kryeministrja, Theresa May. Gazeta austriake „Der Standard" shkroi të shtunën se "në çështjen e Brexit nuk është BE e përçarë, por Britania e Madhe."

Thirrje për arsye

Të shtunën zëvendëspresidentja e Parlamentit Europian, Evelyne Gebhardt kishte bërë thirrje që të mos dështonte samiti i posaçëm të BE vetëm për shkak të grindjes për Gjibraltarin. Kjo temë është po kaq e vështirë sa ajo e Irlandës së Veriut, tha ajo. „Këtu sigurisht duhet të gjenden zgjidhje të arsyeshme", kërkoi politikanja e SPD-së të shtunën në radion bavareze, „Bayerischer Rundfunk". Por sipas vlerësimit të Gebhardt, nëse marrëveshja dështon në parlamentin britanik, Theresa May" do të ndodhej para alternativës së „një Brexiti të ashpër", pa rregulla ose një referendum të ri për të ardhmen e vendit në BE apo jo.

Image
Theresa May

Edhe ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn po ashtu bëri thirrje të shtunën që samiti i posaçëm i BE-së të mos dështonte në çështjen e Gjibraltarit. Për radion gjermane, „Deutschlandfunk" ai tha se „beson se do të dalim nga kjo grindje". Problemi është sipas, Asselborn, që nëse parlamenti britanik nuk e miraton marrëveshjen „atëherë gjithçka e arritur shkatërrohet"./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat