Gjermania i bën thirrje Rusisë e Ukrainës për qetësi - Bota Sot
Gjermania i bën thirrje Rusisë e Ukrainës për qetësi

Evropë

Gjermania i bën thirrje Rusisë e Ukrainës për qetësi

Më: 27 nëntor 2018 Në ora: 10:06
Pamje nga incidenti

Konflikti mes Ukrainës dhe Rusisë kërcënon të shkallëzohet. 

Sipas presidentit ukrainas, Petro Poroshenko, Rusia nuk mund të qëllojë kaq thjesht anijet ushtarake ukrainase. Presidenti ukrainas u shpreh natën e së dielës pas një takimi urgjent të Këshillit Kombëtar të Sigurisë të Ukrainës. Në këtë takim është formuluar lutja që Rada, parlamenti ukrainas të shpallë ligjin e luftës për 60 ditë. Sipas Poroshenkos, ligji i luftës nuk do të thotë, që Ukraina do të ndërmarrë operacione në mënyrë ofensive. Këtu bëhet fjalë "vetëm për mbrojtjen e territorit dhe sigurisë së qytetarëve tanë."

Ndërkohë politikanë të tjerë ukrainas kanë përdorur tone të ashpra. Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Pavel Klimkin shkroi në twitter: "Ky sulm nuk është për ne, por për të gjithë botën e civilizuar. Tani ka luftë me Federatën Ruse në vendin tonë dhe përtej."

Image
Pamje nga mbledhja, Ukrainë

Ndërsa për gazetën gjermane, "Bild", Klimkin u shpreh, se akti i Rusisë "është akt agresioni kundër Ukrainës në ujërat neutrale të Detit të Zi." Ai u bëri thirrje vendeve perëndimore të përballen me agresionin rus. Në Kiev u mblodhën të dielën në mbrëmje dhjetëra demonstrues për të protestuar para ambasadës ruse.

Gjermania, BE, NATO të shqetësuara

Qeveria gjermane kërkoi të hënën që të dyja palët të punojnë për çtensionimin e situatës. Ministri i Shtetit në Ministrinë e Jashtme, Michael Roth u shpreh për Deutschland funk të hënën se "kjo është natyrisht e rrezikshme". Dhe se shkallëzimi i situatës është gjëja, për të cilën nuk kemi nevojë. Gjermania bën thirrje që të mos përdoret forca ushtarake. "Të dyja palët duhet tani të çtensionojnë" dhe të mos punojnë për një spirale të re, "që në fund mund të çojë në pasoja shumë të tmerrshme", tha Michael Roth.

Edhe NATO u shpreh e shqetësuar dhe bëri thirrje për vetëpërmbajtje dhe çtensionim. Në një deklaratë të aleancës veriatlantike, thuhet se po ndiqen me vëmendje zhvillimet në Ngushticën e Kertshit në Detin Azov. NATO e mbështet pa kufizime sovranitetin e integritetin territorial të Ukrainës.

Image
Michael Roth

Aleanca i bëri thirrje Rusisë "në pajtim me të drejtën ndërkombëtare të garantojë akcesin e papenguar tek portet ukrainase në Detin Azov."

Edhe BE i bëri thirrje Rusisë dhe Ukrainës për "vetëpërmbajtje të tejskajshme" me qëllim që situata në këtë rajon të mos shkallëzohet më tej. BE pret që Rusia të mundësojë sërish kalimin në Ngushticën e Detit Azov. Zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Kocijancic se të dyja palët "duhet të reagojnë me kujdesin më të madh, që të çtensionojnë menjëherë situatën."

Image
Tre anije ushtarake ukrainase kanë kaluar ilegalisht kufirin rus, u tha nga shërbimi sekret rus

Këshilli i Sigurimit të OKB-së mblidhet të hënën për të diskutuar për situatën e re para Krimesë. Sipas diplomatëve kjo mbledhje është kërkuar nga Rusia, por edhe Ukraina.

Akuza të ndërsjella nga të dyja palët

Të dielën në ngushticën e Kertshit para Gadishullit të Krimesë ndodhi një incident mes anijeve ushtarake ruse dhe atyre ukrainase. Një anije kufitare ruse u përplas me një anije ukrainase, e cila u dëmtua rëndë. Më vonë tre anije ukrainase u morën nën kontroll nga forcat e armatosura ruse dhe u konfiskuan për shkak të shkeljes së kufirit detar, sipas tyre. Gjashtë marinarë ukrainas u plagosën. Sipas Shërbimit Sekret Rus, FSB, anijet ukrainase kanë hyrë ilegalisht në ujërat territoriale ruse. Atyre u është bërë kërkesë të ndalen, por kjo nuk është respektuar.

Image
Protesta para ambasadës ruse në Kiev

Protesta para ambasadës ruse në Kiev

Ka muaj që situata është e trazuar në Detin Azov, ku me gjasë po krijohet një vatër e re konflikti mes të dy vendeve. Kievi kishte njoftuar, rritjen e prezencës së anijeve ushtarake ukrainase në Detin Azov. Të dyja palët në muajt e kaluar kanë konfiskuar anije peshkimi. Ngushtica e Kertshit që kontrollohet nga Rusia është rrugëkalimi i vetëm detar i anijeve. Në brigjet e Detit Azov gjendjen edhe rajonet industriale të kontrolluara nga separatistët rusë, si Donbasi, por dhe qyteti-port, Mariupol. Ky është një qytet i rëndësishëm industrial për Ukrainën dhe i fundit i kontrolluar nga ky vend në këtë rajon./DW

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...