Protestat në Francë, kryeministri kërkon takim me “jelekët e verdhë”

Evropë

Protestat në Francë, kryeministri kërkon takim me “jelekët e verdhë”

Më: 29 nëntor 2018 Në ora: 11:49
Edouard Philippe

Kryeministri francez u ofrua të bisedojë me përfaqësues të “jelekëve të verdhë”, siç njihen ndryshe protestuesit kundër planeve për rritjen e çmimit të karburantit, por edhe vështirësive të tjera ekonomike.

Edouard Philippe pohoi për një televizion vendas se këta njerëz po flasin për shumë gjëra legjitime, të cilave duhet t’iu vihet veshi. Takimi megjithatë mund të rezultojë i vështirë për t’u organizuar, duke qenë se shumë prej atyre që gjenden në rrënjët e lëvizjes, kanë refuzuar t’i njohin 8 përfaqësuesit e përzgjedhur përmes një votimi në Facebook.

Disa prej demonstruesve kanë bërë thirrje për një tjetër aksion të shtunën në Champs-Elysées, ku tubimi i javës së kaluar degjeneroi në dhunë me policinë.

Presidenti Emmanuel Macron tha të martën se kishte dëgjuar zemërimin e qytetarëve dhe ankesat e tyre mbi taksat më të larta për karburantin, por e bëri të qartë se nuk do të dorëzohej para grupeve të dhunshme dhe nuk do t’i ndryshojë politikat për energjinë.

Trazirat, të cilat kanë shkaktuar dëme në rrugët e Paris, kanë kontribuar më tej në uljen e popullaritetit të tij. Argumenti i Macron është se populli francez nuk mund të kërkojë shërbime më të mira publike dhe në të njëjtën kohë ulje taksash, por kundërshtarët po e kritikojnë kreun e shtetit se i ka humbur lidhjet me votuesit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat