HIV/AIDS në Evropë, rritet numri i rasteve në lindje

Evropë

HIV/AIDS në Evropë, rritet numri i rasteve në lindje

Më: 1 dhjetor 2018 Në ora: 18:29
HIV/AIDS

Në përvjetorin e 30 të ditës botërore të AIDS, Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë për Evropën, kanë zbuluar shifrat më të fundit të rasteve të HIV/AIDS në Evropë.

Vëzhgimet e bëra nga Organizata Botërore e Shëndetësisë flasin për thellim të pabarazive mes vendeve nga Evropa lindore dhe perëndimore, me Evropën lindore që përllogarit 82% të diagnozave të reja në rajon vitin e shkuar. Vetëm dy vende në kontinent, Ukraina dhe Rusia regjistrojnë 75% të të gjitha rasteve të reja të infektimit, të diagnostifikuara.

Në total, studimi nënvizon se diagnostifikimi i rasteve të HIV-AIDS-it është në rritje në Evropë. Më shumë se 2 milionë njerëz janë prekur nga virusi HIV në të gjithë rajonin, me një në pesë prej tyre që ka jetuar me të pa e ditur. Sipas raportit, një numër i madh personash të diagnostifikuar me HIV jetojnë në lindje të Evropës, ku shkalla e infeksionit vitin e shkuar ishte 51.1 në çdo 100 mijë banorë.

Numri i rasteve me AIDS po ashtu thuajse është dyfishuar në lindje gjatë dekadës së fundit, por është stabilizuar disi që nga 2012. Në perëndim, shkalla e virusit është dramatikisht më e ulët, me 6.9 deri në 6.2 raste për çdo 100 mijë banorë, me qendrën e kontinentit ku kjo shkallë është 3.2 për 100 mijë banorë.

Raporti del në përfundimin se rajoni evropian nuk është në rrugën e duhur drejt objektivit për dhënien fund të epidemisë së AIDS-it një herë e mirë. Transmetimi i vitusit HIV mbetet një shqetësim i madh për shëndetin publik, thuhet në raport.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat