“Brexit”, kreu i Laburistëve prezanton planin alternativ: Na jepni një mundësi!

Evropë

“Brexit”, kreu i Laburistëve prezanton planin alternativ: Na jepni një mundësi!

Më: 7 dhjetor 2018 Në ora: 12:16
Parlamenti britanik

Marrëveshja “e dështuar” për “Brexit”-in, që Theresa May ka sjellë në Parlament për votim këtë javë, është një dështim monumental dhe shkatërrimtar për vendin tonë. Me këtë frazë e nis analizën e tij për “The Guardian” Jeremy Corbyn, udhëheqësi i Partisë Laburiste opozitare në Britaninë e Madhe.

Sipas tij, në vend të një marrëveshjeje të pranueshme që kryeministrja mund të kishte negociuar, kjo aktualja është më e keqja e mundshme, në funksion të askujt, pavarësisht nëse kanë votuar për shkëputjen nga BE-ja, apo qëndrimin e mëtejshëm.

“Në vend që të marrim mbrapsht kontrollin e vendit tonë, ne po ua japim atyre kontrollin. Në vend që të mbronim vendet e punës dhe standardet e jetesës, këto vihen në rrezik nga dështimi për të krijuar bazat e një tregtie pa mosmarrëveshje”, thotë më tej Corbyn.

Kreu i laburistëve thekson më tej se, për dy vite e gjysmë, konservatorët më shumë kanë negociuar mes tyre, sesa me Bashkimin Europian, duke dashur të nxjerrë në pah kështu mosmarrëveshjet e brendshme që kanë shkaktuar dorëheqjen e disa prej ministrave të kabinetit “May”.

Rezultati i gjithë kësaj, – thotë Corbyn, – ka qenë kjo marrëveshje bllokuese për daljen, që detyron Britaninë të përballet me një fazë më të gjatë tranzicioni me kosto të panjohura, ose na imponon një marrëveshje të çalët që nuk nënkupton një shkëputje të pavarur.

Po çfarë do të thotë kjo në praktikë? Sipas Corbyn, “lista e dëshirave” të marrëveshjes së “partneritetit të ardhshëm” me BE-në do të mbetet e njëjta, pa pasur mundësinë e një sistemi manovrimi për të arritur një marrëveshje tregtie afatgjate dhe efektive.

“Ndërkohë, Britania nuk do të ketë fjalën e saj qoftë sa u përket rregullave të veta doganore, ashtu dhe në rregullat kyçe të tregut. Kjo do të sillte rënie të të drejtave të punëtorëve dhe kufizim të ndihmës shtetërore për industrinë”, thotë kreu laburist.

Sipas Jeremy Corbyn, e vetmja arsye përse qeveria ka rënë dakord për një paketë kaq të ndërlikuar është menaxhimi i fraksioneve ndërluftuese brenda Partisë Konservatore. Megjithatë, edhe kështu ata kanë dështuar, thotë ai. “Në vend të kësaj, kjo ka bashkuar dy kampet (rri dhe largohu) e konservatorëve, partinë DUP, si dhe çdo parti opozitare kundër marrëveshjes”, konstaton Corbyn.

Gjithçka duhet të marrë fund javën e ardhshme, kur marrëveshja të hidhet për votim në Parlamentin britanik, me Corbyn që thekson se po punohet me të gjithë deputetët dhe partitë në Dhomën e Komunëve, që jo vetëm të sigurohen për refuzimin e marrëveshjes, por edhe të shmangin çdo mundësi që Britania të shkëputet “pa marrëveshje”.

“Por, mposhtja e saj nuk duhet marrë si e mirëqenë. Në përpjekje për të mbledhur pas vetes konservatorët, May po pretendon se refuzimi i marrëveshjes do të thotë ‘pa marrëveshje’ ose s’ka ‘Brexit’, sepse sipas saj nuk ekzistojnë alternativa të mundshme. Kjo është totalisht false. Plani alternativ i Laburistëve do të zhbllokonte negociatat për marrëdhënien tonë të ardhshme me Bashkimin Europian dhe do të na lejojë të tejkalojmë këtë pengesë shkatërrimtare” thotë Corbyn.

E pasi bën një përmbledhje të asaj që laburistët ofrojnë si alternativë, që gjithsesi nuk duhet marrë si e mirëqenë pasi do të duhet edhe miratimi nga negociatorët e BE-së, Corbyn shkruan në fund se marrëveshja e kësaj qeverie nuk duhet të kalojë.

“Pas vendimit që do të marrë Parlamenti këtë javë, do të jetë e lehtë të krijojmë mbështetje për planin alternativ për të bashkuar vendin. Në të tilla rrethana, kur vendi rrezikohet, Parlamenti ka treguar gjithnjë gatishmërinë për të marrë kontrollin, ndërsa laburistët do t’i japin vendit lidershipin që i nevojitet”, shkruan Corbyn.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat