Konferenca mbi klimën në Poloni, s’ka marrëveshje

Evropë

Konferenca mbi klimën në Poloni, s’ka marrëveshje

Më: 9 dhjetor 2018 Në ora: 21:24
Poloni

Përpjekjet për të përfshirë një studim shkencor të rëndësishëm, në bisedimet mbi klimën në Poloni kanë dështuar.

Raporti i panelit ndërkombëtar “IPCC”, mbi pasojat e një rritjeje prej 1.5 gradësh të temperaturave, pati një impakt domethënës kur u lançua në tetor.

Shkencëtarët dhe shumë delegatë në Poloni mbetën të tronditur kur Shtetet e Bashkuara, Arabia Saudite, Rusia dhe Kuvajti kundërshtuan të mirëprisnin raportin, që ishte porositur nga Konferenca mbi klimën e vitit 2015.

Sipas raportit, bota është tani tërësisht jashtë binarëve dhe rrezikon që brenda këtij shekulli temperaturat të rriten me 3 gradë Celsius, duke lënë pas objektivin prej 1.5 gradë Celsius. Ruajtja e këtij objektivi do të kërkonte ndryshime radikale, të shpejta dhe afatgjata, në të gjitha aspektet e shoqërisë.

Nëse ngrohja do të mbahet në kufirin e 1.5 gradëve Celsius këtë shekull, atëherë emetimet e dioksidit të karbonit duhet të reduktohen me 45 për qind deri në vitin 2030. Raporti i lançuar në Korenë e Jugut pati pasoja të menjëhershme dhe u lëvdua nga politikanët në të gjithë botën.

Por, negociatorët në Poloni u përballën me një mur të pakalueshëm, kur Arabia Saudite, SHBA, Rusia dhe Kuvajti e kundërshtuan atë. E pa konsensus, sipas rregullave të Kombeve të Bashkuara, pjesa e tekstit është rrëzuar. Shumë delegatë shpresojnë tani që ministrat, të cilët do të mblidhen të hënën, do të përpiqen ta rikthejnë këtë raport të rëndësishëm në qendër të konferencës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat