Macron organizon takim pas valës së protestave në Francë

Evropë

Macron organizon takim pas valës së protestave në Francë

Më: 10 dhjetor 2018 Në ora: 08:01
Presidenti francez, Emmanuel Macron.

Presidenti francez, Emmanuel Macron pritet të takohet të hënën me shoqatat për tregti dhe organizatat e punëtorëve, si përpjekje për të zbutur situatën e disa vikendeve me radhë që janë përcjellur me trazira në Paris dhe qytete tjera.

Ky takim do të zhvillohet pasi Macron fillimisht të mbajë një fjalim televiziv në të cilin pritet të njoftojë për masat që të merren si përgjigje ndaj protestave.

Në Francë është protestuar në katër vikendet e fundit kundër rritjes së taksës për karburante, për çmimet e jetesës dhe çështje tjera.

Rreth 136,000 protestues të Lëvizjes së “xhaketave të verdha” kanë dalë në rrugët e Francës të shtunën, derisa më shumë se 1,200 janë dërguar në mbajtje.

Kryeqyteti francez, Parisi është dëmtuar rëndë, me dritare të thyera, vetura të djegura dhe dyqane të plaçkitura dhe 10,000 persona kanë qenë pjesë e protestës.

Ministri Francez i Financave, Bruno Le Maire e ka përshkruar këtë situatë si “katastrofë për bizneset” dhe ekonominë.

Javën e kaluar, pas bisedimeve me përfaqësuesit e Lëvizjes “Xhaketat e Verdha”, Qeveria ka njoftuar për braktisje të taksës për karburante, e cila ka qenë pika fillestare e shprehjes së zemërimit.

Mirëpo ky vendim nuk ka mjaftuar për të penguar mbajtjen e protestave të shtunën, pasi tani protestuesit kanë përmendur edhe pakënaqësi për aspekte tjera jetësore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat