Qeveria hungareze rrit kompetencat mbi gjyqësorin

Evropë

Qeveria hungareze rrit kompetencat mbi gjyqësorin

Më: 12 dhjetor 2018 Në ora: 15:22
Foto ilustrim

Hungaria miratoi një ligj të mërkurën që i mundëson ministrit të Drejtësisë mbikqyrjen e drejtpërdrejtë të gjykatave.

Grupet e të drejtave të njeriut, e kanë kritikuar ligjin, pasi kanë thënë se ai, mundëson ndërhyrjen politike në çështjet gjyqësore dhe minon më tej sundimin e ligjit, raporton agjencia Reuters.

Sipas ligjit, gjykatat administrative do të marrin përsipër çështjet e lidhura me punët qeveritare, taksat dhe zgjedhjet.

Qeveria tha se gjykatat do të kryesohen nga gjyqtarë të pavarur, të cilët do të ishin në gjendje, të trajtojnë lëndët në mënyrë shumë efikase.

Ministri i Drejtësisë do të ketë kompetenca të mëdha në emërimin e gjyqtarëve si dhe do të mbikqyrë buxhetet e gjykatave.

Grupet e të drejtave të njeriut thanë se ligji e çrregullon ndarjen e pushteteve mes ekzekutivit dhe gjyqësorit si dhe përbën edhe një hap më tej drejt autoritarizmit të kryeministrit, Viktor Orban.

“Ligji është një kërcënim serioz për sundimin e ligjit në Hungari dhe shkon kundër vlerave të cilat vendi i ka firmosur kur është anëtarësuar në Bashkimin Evropian” thuhet në deklaratën e Grupit për të Drejtat e Njeriut nga Helsinki.

"Ashtu si çdo gjykatë tjetër, gjykatat e administratës publike do të mbushen me gjyqtarë të pavarur të qeverisur vetëm nga fjala e ligjit", tha zëdhënësi i qeverisë hungareze në blogun e tij .

Qeveria ka kërkuar një opinion nga Komisioni i Venecias, një panel ekspertësh të së drejtës kushtetuese të Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut, lidhur me legjislacionin. Komisioni i Venecias konfirmoi se e ka pranuar kërkesën dhe pritet të miratojë një opinion vitin e ardhshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat