Shtetasja ruse pranon akuzat për spiunazh

Evropë

Shtetasja ruse pranon akuzat për spiunazh

Më: 14 dhjetor 2018 Në ora: 07:28
Maria Butina u akuzua në muajin korrik se ka vepruar në mënyrë të paligjshme si një agjente ruse e paregjistruar si dhe konspiracion

Një shtetase ruse e akuzuar se ka punuar si agjente për Kremlinin, me qëllimin për të krijuar lidhje me grupin e fuqishëm të lobimit, Shoqatën Kombëtare Armëve në Shtetet e Bashkuara si dhe për të depërtuar në qarqet e Partisë Republikane pranoi fajësinë të enjten përpara një gjykate federale.

Maria Butina u akuzua në muajin korrik se ka vepruar në mënyrë të paligjshme si një agjente ruse e paregjistruar si dhe konspiracion. Fillimisht ajo nuk i pranoi akuzat.

Si pjesë e një marrëveshjeje me prokurorët, 30-vjeçarja pritet të pranojë fajësinë dhe të bashkëpunojë me ta.

Dyshohet se Maria Butina kishte një marrëdhënie personale dhe jetonte me aktivistin republikan Paul Erickson, të lidhur me Shoqatën Kombëtare të Armëve.

Sipas Departamenti amerikan të Drejtësisë Maria Butina ishte një "agjente e fshehtë ruse" e cila mbante lidhje me spiunë rusë në një mision që synonte depërtimin në "aparatin vendimmarrës kombëtar të SHBA-së me qëllimin çuar përpara të axhendës së Federatës Ruse".

Po sipas autoriteteve amerikane veprimtaria e saj në Shtetet e Bashkuara drejtohej nga një ish-ligjvënës rus ndaj të cilit Departamenti amerikan i Thesarit ka vendosur sanksione për lidhjet e tij të dyshuara me Presidentin rus Vladimir Putin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat