Si bashkëpunonte Ramush Haradinaj me FARK-un!

Fejtone

Si bashkëpunonte Ramush Haradinaj me FARK-un!

Nazif Ramabaja Nga Nazif Ramabaja Më 12 korrik 2018 Në ora: 08:28
Tahir Zemaj dhe Ahmet Krasniqi

Në ora 12.00 njësiti u nis për në frontin e Gllogjanit, ndërsa në ora 14.00 më erdhi lajmi anasjelltas nga Ramushi nëpërmes një letre se njësiti është dislokuar në vijën e parë të frontit.

Analiza e operacioneve luftarake nga 2 deri më 4 gusht, e bërë më 6 gusht me komandantët e shtabeve lokale të fshatrave të lartpërmendura.

Kjo analizë u bë në mënyrë profesionale duke i shfrytëzuar hartat topografike dhe planet e hartuara në to, gjatë dhe pas ofensivës së gushtit 98´, me të gjitha elementet e renditjes luftarake, duke dhënë aksentin në lëshimet dhe gabimet e bëra, gjërat pozitive dhe si duhet vepruar në të ardhmen duke i bërë veprimet luftarake edhe më të efektshme për realizimin e qëllimeve tona.

Rëndësi të posaçme ju kushtua:

Informimit të menjëhershëm, duke e shfrytëzuar sistemin e hierarkisë ushtarake nga lartë-poshtë dhe anasjelltas, me aktivitetet luftarake të cilat zhvillohen në zonën e brigadës.

Domosdoshmëria e qëndrimit dhe rezistencës dhe moslëshimi i vijës së frontit derisa të mos jepet urdhri për tërheqje.

Evakuimin e popullatës civile sipas planit të hartuar më parë dhe në koordinim të ngushtë me shtabin e brigadës.

Përgatitjes së të gjitha shtabeve në zonën përgjegjëse të brigadës e veçanërisht shtabit të Loxhës, Raushiqit, Grabocit, Lugmirit dhe Lozhanit për kundërpërgjigje ndaj një sulmi të mundshëm të forcave ushtarako-policore dhe paramilitaro-mercenare serbe me qëllim që të zhbllokohet aksi rrugor, magjistralja Prishtinë-Pejë dhe Pejë-Deçan-Gjakovë (i cili plan ishte zbuluar nga njësiti i përgjimit, zbulim dhe kundërzbulimit dhe hyrjen në sistemin kriptik të armikut nëpërmes lidhjeve dhe kanaleve komanduese të motorollave, të cilat ua kishim marrë oficerëve serbë të vrarë në betejën e Loxhës)

Përveç kësaj, të gjithë të pranishmëve ju dhanë edhe detyra siç ishin:

Mos përzierja në kompetenca të tjetërkujt si dhe përfshirja në to
Ndërtimi i strehimoreve në çdo fshat.
Vëzhgimi dhe qëndrimi në pozicionimet e zjarrit (PZ)
Dalja në vijën e mëparshme të frontit dhe sigurimi i saj me ushtarë të njësiteve operative posaçërisht të fshatit Loxhë.
Dërgimi i ushtarëve me armatim të rëndë nga të gjitha shtabet në komandën e brigadës, në mënyrë që të stërviteshin dhe më vonë të dërgoheshin në shtabe rajonale, baza të përgatitura dhe të pajisura me njohuri të reja luftarake.

Ofensiva e forcave serbe në fshatrat e komunës së Deçanit vazhdoi edhe më 10 gusht 98´: Carabreg, Llukë e epërme, Beleg, Prilep, Rastavic, Baballoq, Gramaqel, Shaptej, Dubravë, Irzniq, Gllogjan, dhe Prapaqan. Sulmi i sotëm është ndër më të fuqishmet armiku me 60 tanke, 40 autoblinda, raketahedhës shumëtytësh 128 mm (32) dhe automjete të motorizuara luftarake, ku më se 30 mijë banorë të Anadrinit qëndronin pa strehë, pa ushqime dhe pa ilaçe, ndërsa 10% e popullatës civile në Kosovë ishte shndërruar në refugjatë.

Duke i ditur këto informacione diku kah ora 09:30 me vetëdije vendosa që të hyjë në fshatin Gllogjan të Deçanit me vozitësin, përcjellësin tim kryesor Zymer Fak Sefajn dhe dy ushtarë të sigurimit tim, Sinan Shalën dhe Burim Gashin.

Granatimet e pandërprera

Qëllimi ishte për të vëzhguar dhe vërejtur situatën në terren për së afërmi. Hasëm në granatime gjatë tërë rrugës nga forcat serbe, të cilat ishin të një intensiteti të lartë dhe të pandërprerë posaçërisht në qendër të Irzniçit. Në Irzniç ishin shkatërruar shtyllat elektrike zvarriteshin mbi rrugë dhe shtëpi, derisa shtëpitë ishin shndërruar në gërmadha. Pra, veç pamjeve tragjike u ballafaquam edhe me rreziqet e granatimeve gjatë tërë vëzhgimit. Vendosa që të vazhdojmë rrugën për në Gllogjan, ku në të hyrë në këtë fshat hasëm në breshëri granatash, por me vendosmërinë dhe guximin tonë ia dolëm që të hyjmë në shtabin e Gllogjanit.

Aty ishin mbledhur disa dhjetëra luftëtar, por Ramush Haradinaj nuk ishte në shtab. Pas pyetjes së bërë nga unë se “ku është Ramushi?”, disa u përgjigjen se nuk e dinin, e disa të tjerë heshtnin, ndërsa një tjetër më tha se është në front.

Vendosa që ta pres një kohë dhe pas 10-15 minutave disi i tronditur u lajmërua vetë Ramushi duke më thënë “ku je Ramabajë”?. I qortoi disa luftëtarë, duke ju thënë se çka jeni mbledhur ashtu dhe se në çfarë gjendje të çrregulluar gjendej shtabi. Hymë në një dhomë, e cila ishte e errët, pa rrymë elektrike, sepse ishin grasatuar, edhe në këtë fshat, shtyllat dhe telat e rrymës, të cilët kalonin prej një ane në anën tjetër të rrugës.

Ramushi pranoi ofertën time për ndihmë

Ramushi i tërhoqi disa sende nga dyshemeja e dhomës dhe nga dëshira që t´më bëj pritje të mirë dukej se ndjehej i prekur nga ajo gjendje. E ndezi llambën e vajgurit, u ulëm dhe e drejtuam shikimin nga njëri tjetri.

E fillova bisedën duke iu drejtuar me këto fjalë: Ramush pasi që armiku e ndërmori një ofensivë të madhe me granatime, me armë të të gjitha kalibrave, vendosa që të vij tek ti në shtab për ti parashtruar tri pyetje.

Së pari dëshiroj ta di se si je, si je duke e ndier veten dhe ku i ke shokët (sepse se vërejta asnjë person që ishte afër tij, preja atyre personave që e shoqëronin gjithmonë) 

Së dyti dëshiroj të informohem për situatën momentale dhe

Së treti më thuaj se a ke nevojë për ndihmë.

Në pyetjen e parë mu përgjigj shkurt: Siç po e sheh disa janë në front e të tjerët...?

Në të dytën më informoi se bëhet fjalë për një ofensivë, e cila është duke u ndërmarr me qëllim të pushtimit të fshatit Gllogjan.

Dhe në pyetjen e tretë më- është drejtuar, “po si nuk kam nevojë për ndihmë, ndihma jote është më se e nevojshme”. I premtova se do t´ia dërgoj një togë nga njësiti operativ për ndërhyrje të shpejtë me një komandant, i cili ka njohuri të mirë të terrenit dhe i propozova ose ta linte si rezervë dhe ta shtinte në përdorim pastaj për ti freskuar forcat në drejtimin kryesor të sulmit të forcave serbe, ose ta bënte përdorimin e këtij njësiti në vijën e parë të frontit. Luftëtarët e këtij njësiti - togës që do ta dërgoja kishin përvojë të madhe, dhe se kanë marrë pjesë në luftëra të deritanishme e veçanërisht në betejën e Loxhës.

Pas kthimit në komandën e brigadës në Baran urdhërova njësitin për intervenime të shpejta me komandantin Cuf ë Krasniq, që të përgatitej për intervenim dhe shkuarje në ndihmë të shtabit në Gllogjan. Toga numëronte gjithsejtë 31 ushtarë në krye me komandantin, Cuf en.

Posa u përgatit njësiti operativ për intervenime të shpejta-toga, ia mbajta 10 minuta një ligjëratë duke i njoftuar me detyrën, përgjegjësitë dhe obligimet, edhe disiplinën që duhej ta kishin gjatë intervenimit dhe kryerjes së detyrave luftarake. Ky ligjërim kishte për qëllim ngritjen e moralit luftarak, respektimin e hierarkisë ushtarake, vijës vertikale, urdhrave të dhënë prej lartë-poshtë e anasjelltas, subordinimin e veprimeve ushtarake me fqinjët, forcat e krahut të majtë dhe djathtë në terren dhe vetiniciativën, nga komandant të skuadrave dhe ushtarë me përvojë dhe të guximshëm sipas situatës dhe zhvillimit të operacioneve në terren.

Forcat e FARK-ut në frontin e Gllogjanit

Në ora 12.00 njësiti u nis për në frontin e Gllogjanit, ndërsa në ora 14.00 më erdhi lajmi anasjelltas nga Ramushi nëpërmes një letre se njësiti është dislokuar në vijën e parë të frontit në mbështetje të forcave dhe zëvendësimin e atyre ekzistuese në front.

Gjatë marrjes së pozicioneve dhe granatimit të pandërprerë të forcave serbe u lënduan këta ushtarë të njësitit operativ për intervenime të shpejta të brigadës 131-të

Qazim Gashi- nga Barani në kofshë.
Shefqet Gjocaj-nga Kodradiq në krah të majtë dhe
Ahmet Isufi-nga Bokshiqi në këmbën e majtë.

Nga njësiti toga për intervenim të shpejtë ishte vrarë një oficer serb në vijën e parë të frontit ku ishte dislokuar njësiti te plepat në fshatin Prilep.

Kjo ishte përgjigjja më e mirë për ata, të cilët kishin hezitim dhe kundërthënie ndaj njësiteve operative të UÇK-së dhe oficerëve të karrierës se si duhet dalur në ndihmë dhe koordinuar operacionet, duke i konkretizuar në terren dhe me pjesëmarrjen fizike të tyre. Prandaj, edhe hyra në shtabin e Gllogjanit për t´ju dhënë fund paragjykimeve dhe atyre thashethemeve. / Vijon

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat