Kryetari Ferizajt kërkon ndihmë nga Qeveria për situatën pandemike

Ferizaj

Kryetari Ferizajt kërkon ndihmë nga Qeveria për situatën pandemike

Më: 23 mars 2020 Në ora: 12:12
Agim Aliu

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se fshati Bibaj nuk është në karantinë pasi që personi që rezultoi pozitiv me Covid-19 nga ky fshat nuk ka pasë kontakt me askënd nga ky fshat.

“Fshati Bibaj nuk është i izoluar, sepse s’ka pasë asnjë arsye për faktin se Jetmir Hyseni 9 (pozitiv me Covid-19) ka ardhë nga Dusseldorfi me aeroplan dhe nga aeroporti është vendosur në karantinë në Qendrën e Studentëve”.

“Kur ka shfaqur simptomat, është testuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ku ka rezultuar pozitiv. Tash është duke u trajtuar në Klinikën Infektive në Prishtinë.

Aliu ka treguar për masat që komuna që ai e drejton i ka marrë me qëllim të parandalimit të Covid-19.

“Komuna e Ferizajt ka marrë një varg masash. Krahas masave që kanë dalë nga vendimet e Qeverisë së Kosovës, kemi marrë edhe masa të tjera shtesë si komunë e Ferizajt. Gjithë këto masa kanë qenë në drejtim të parandalimit të përhapjes së Covid-19”.

“Ndër masat e para kanë qenë masat dezinfektuese ku kemi bërë dezinfektimin e të gjitha institucioneve publike”.

“Nuk jemi ndalur as gjatë këtyre ditëve. Sot do të fillojmë dezinfektimin e banesave kolektive të vjetra – si rezultat i një iniciative private. Krahas kësaj kemi marrë edhe masa të mëhershme, si mbyllja e parqeve dhe tregjeve

“Sot do të kemi takim me biznesmenët dhe furrtarët e komunës së Ferizajt në mënyrë që të bashkërendojmë punët dhe veprimet. I gjithë apeli është që qytetarët të rrinë në shtëpi, por kjo shkakton edhe kërkesën për nevojë ushqimore – në mënyrë të veçantë për kategoritë sociale”.

“Prandaj, do të takoj biznesmenët që bashkë me ta të bashkërendojmë punët, angazhimet dhe veprimet që kësaj kategorie – që po i kërkojmë izolim – t’i ndihmojmë me pako ushqimore dhe higjienike”.

“Janë një varg masash, por ajo që është konsistenca jonë është apelimi para qytetarëve që të vazhdojnë të qëndrojnë të izoluar në shtëpitë e tyte. Ne me gjithë atë që kemi në kompetencat tonë do të mundohemi që t’iu rrijmë afër ne mënyrë që kjo përballje me Covid-19 të jetë më e lehtë për ta dhe për ne”.

Por, a është i kënaqur kryetari i Komunës së Ferizajt me mbështetjen e Qeverisë? A kanë nevojë për diçka?

“Sigurisht se kemi nevojë. Pikërisht arsyeja pse unë kam ftuar sot bizneset është që është lënë anash segmenti social. Ne vazhdueshëm po kërkojmë masa të izolimit, por sikur kemi harruar mbështetjen sociale”.

“Ajo që po kërkojmë dhe insistojmë nga Qeveria e Kosovës është që të na mbështesë në këtë aspekt”.

“Ne si Asociacion i Komunave kemi adresuar në Ministrinë e Financave dhe Qeverinë e Kosovës kërkesat që të kemi fonde shtesë dhe të kemi mundësitë ligjore që në këto rrethana të përdorim mjete financiare në mënyrë që ta lehtësojmë këtë situatë dhe të jemi afër qytetarëve me mbështetje që zakonshëm kërkohen në këto situata”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat