Kryetari i Ferizajt Agim Aliu: 35 rastet e reja me Covid-19 janë familjarë të të punësuarve në Bondsteel - Bota Sot
Kryetari i Ferizajt Agim Aliu: 35 rastet e reja me Covid-19 janë familjarë të të punësuarve në Bondsteel

Ferizaj

Kryetari i Ferizajt Agim Aliu: 35 rastet e reja me Covid-19 janë familjarë të të punësuarve në Bondsteel

Më: 13 prill 2020 Në ora: 19:26
Agim Aliu

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka bërë të ditur se të gjitha rastet e reja të regjistruara dje (12 prill, 2020) me Covid-19, janë familjarë të punonjësve në kampin Bondsteel.

Në emisionin Info Magazine, ai ka theksuar se në dy ditët e fundit qytetarët janë duke i zbatuar masat e vendosura nga institucionet përkatëse për kufizim të lëvizjes së lirë në mënyrë që të parandalohet përhapja e pandemisë.

“Pas një situatë të qetë që ka mbizotëruar në Komunën e Ferizajt siç e kanë parë edhe vet qytetarët deri më 7 prill, 2020, rasti i parë fatkeqësisht rezultoi me fatalitet dhe e prishi këtë qetësi”.

“Në ditën e djeshme (12 prill, 2020) ne përfunduam me 55 raste që ishte shumë shpërthyese. E gjithë struktura fillestare e personave me Covid-19 në fakt është strukturë e shërbimit civil e kampit BondSteel.

“Në 18 raste, kanë qenë 8 nga familjarët e të punësuarve në Bondsteel dhe po ashtu 10 raste të tjera kanë qenë punonjës. Ndërsa 35 rastet e reja janë të gjithë familjarë të tyre [punonjësve të Bondsteel-it]”.

“Arsyeja kryesore rritjes së këtij numri qëndron në faktin se Covid-19 është një armik i padukshëm dhe kjo tregon për fuqinë e tij. Do të duhej të shtohej kujdesi dhe do të duhej të respektoheshin të gjitha rekomandimet e dhëna nga institucionet relevante”.

“Fatkeqësia është se kjo sëmundje shkakton simptoma të vonshme dhe shumë prej qytetarëve mund të mos jenë në dijeni se janë të infektuar dhe ata mund të ekspozohen me kontakte të ndryshme – pastaj ai komunikim është shndërruar në bartje të virusit”.

“Pacienti i parë ka qenë pa asnjë simptomë në klinikë. Ai është ankuar për probleme kardiake. Versioni zyrtar është se ai ka pasur arrest kardiak dhe pas vdekjes, testimi për Covid-19 ka rezultuar pozitiv”.

Kujtojmë se numri i përgjithshëm i të prekurve me Coronavirus në Komunën e Ferizajt është 55. Ndërsa në tërë territorin e Kosovës janë regjistruar 362 raste, prej të cilave, 8 kanë rezultuar me vdekje.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat