​Qytetarët e Ferizajt nuk po i respektojnë dispozitat shëndetësore

Ferizaj

​Qytetarët e Ferizajt nuk po i respektojnë dispozitat shëndetësore

Më: 29 prill 2020 Në ora: 16:53
Ferizaj

Ferizaj, e cila është komuna me numrin më të madh të personave me COVID-19, tashmë ka një situatë më stabile pasi në pesë ditët e fundit nuk është konfirmuar asnjë rast i ri. Por si duket kjo i ka relaksuar ferizajasit të cilët sot ishin të shumtë të numër që kishin dalë në sheshet e qytetit.

E për këtë ka folur edhe drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në komunën e Ferizajt, Bekim Ademi i cili tha për KosovaPress se në fillim qytetarët i kanë respektuar masat e ndërmarra nga qeveria, por që tani masa për qarkullim në bazë të numrit të parafundit të letërnjoftimit nuk po respektohet sa duhet.

Ademi: Qytetarët po frekuentojnë rrugët në masë të madhe

“Fillimisht masat e ndërmarra nga shtabi emergjent janë respektuar në masën më të mirë të mundshme dhe kemi ftuar qytetarët të qëndrojnë në familjet dhe shtëpitë e tyre, dhe ata nuk kanë dalë në sheshe dhe rrugë. Për dallim kur ka filluar ministria t’i marrë masat e veta, fillimisht janë respektuar, por gjatë orarit të caktuar me numra të letërnjoftimit nuk ka ecur si duhet pasi qytetarët po shihet që po frekuentojnë rrugët e qytetit në masën më të madhe dhe kjo faktikisht na rrezikon si qytetarë. Kërkoj nga ata që t’i respektojnë masat e ndërmarra nga MSH dhe IKSHP”, tha drejtori i Shëndetësisë në Ferizaj.

Ademi i cili është edhe koordinator për luftimin e pandemisë në këtë komunë thotë se Komuna e Ferizajt numëron 98 raste me COVID-19, prej tyre dy tashmë dy kanë humbur jetën.

Ai tha 13 mostra të personave të infektuar kanë dalë negativë dhe se ata përsëri do të ri-testohen.

Ademi: Ferizaj numëron 98 persona të konfirmuar me COVID19

“Qyteti i Ferizajt numëron 98 persona të konfirmuar pozitiv me COVID19, prej të cilëve dy kanë ndërruar jetë....Pesë ditët e fundit nuk kemi asnjë rast të konfirmuar me COVID19, përkundrazi dje kemi marrë lajme të mira për shkak se nga 13 mostrat të cilat i kemi rritur ri-testuar dhe të cilët kanë qenë edhe më herët me COVID-19, kanë dalë negative, dhe çka do thotë se këta persona duhet të përsëritet edhe ri-testimit dhe në rast se dalin prapë negativë këta persona mund të konsiderohen të shëruar. Ne sot kemi edhe 44 mostra të cilët do të ri-testohen të cilët më herët kanë qenë të testuar me COVID-19”, u shpreh ai.

Bekim Ademi, i cili është edhe Drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Ferizaj, thotë se përveç një mjeku i cili ka rezultuar pozitiv dhe ndodhet në vetizolim, raste tjera te stafi shëndetësor me këtë virus nuk kanë.

Ademi: Stafi mjekësor nuk është i prekur, përveç një mjeku i cili është në vetizolim

“Stafi mjekësor fatmirësisht dy herë kemi pasur dyshime që ka mundur të jetë i prekur, por kanë rezultuar negativë. Fatmirësisht, nuk janë të prekur në përjashtim të një mjeku në spitalin e përgjithshëm të qytetit, i cili ka rezultuar pozitiv me COVID19, i cili është i vetizoluar momentalisht dhe stafi tjetër përcjellës është testuar dhe ka dalë negativë”, tha Ademi.

Ai theksoi se stafi mjekësor është i pajisur me mjetet e nevojshme mbrojtëse.

Ndryshe, deri mbrëmë në Kosovë me COVID-19 kanë rezultuar pozitivë 790 persona, prej tyre 232 të shëruar dhe 22 të vdekur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat