Në Komunën e Ferizajt numri i përgjithshëm i të infektuarve me COVID-19 ka shkuar në 134.
Kryetari i saj, Agim Aliu ka njoftuar se mosha e personave të infektuar varion nga 1 vjeç deri në 80, por që sipas tij në përgjithësi gjendja shëndetësore e tyre është stabile.
“Pacientja e moshës 80 vjeçare ka pasur nevojë për ndonjë mbështetje të lehtë por në përgjithësi gjendja e të prekurve me COVID-19 është e mirë dhe shpresojmë se do të shkojë mirë si deri më tani”, tha ai.
Aliu thotë se numri i të shëruarve në Ferizaj ka shkuar në 95 ndërsa gjatë ditës së sotme pritet të ketë edhe të shëruar tjerë.
“Raste aktive në Komunën e Ferizajt janë 35. Mbrëmë është shqyrtuar mundësia që pacientja 80 vjeçare të shtrihet në Klinikën Infektive, por e kanë parë që gjendja e saj është stabile dhe po vazhdon të jetë në vet izolim në shtëpi”, tha tutje ai në RTV Dukagjini.
I pari i Ferizajt thotë se qytetarët duhet të vazhdojnë t’i respektojnë masat e përcaktuara nga qeveria, pasi sipas tij ka flukse të mëdha të lëvizjeve në qytet.
“Ndejat familjare paraqesin rrezik pasi një person i vetëm mund të infektojë shumë të tjerë. Apelojmë që të shmangen organizimet grupore në këtë kohë”, tha ndër të tjera Agim Aliu.