​Ferizaj, kërkohet respektim i masave për Covid-19 nga subjektet afariste dhe gastronomike

Ferizaj

​Ferizaj, kërkohet respektim i masave për Covid-19 nga subjektet afariste dhe gastronomike

Më: 18 qershor 2020 Në ora: 16:36
Foto

Sot është mbajtur një takim koordinues me subjektet afariste të natyrës gastronomike në Komunën e Ferizajt rreth zbatimit të masave për Covid-19.

Pjesëmarrës në takim ishin drejtues të Inspektoratit Komunal, Policisë së Kosovës dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës nga rajoni i Ferizajt.

Kryeinspektori i Ferizajt Ridvan Berisha ka thënë se masat e reja për Covid-19 duhet të zbatohen në mënyrë që të ruhet shëndeti i gjithë qytetarëve.

Ai ka kërkuara gjatë gjithë kohës që të respektohet distanca fizike, të ketë dezinfektues të qasshëm lehtë nga klientët në çdo lokal, si dhe stafi të jetë i pajisur me dorëza dhe maska, si dhe shumë rregulla të tjera të cilat tashmë janë bërë publike në bazë edhe të manualit të përgatitur nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndërkaq drejtoresha e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës nga rajoni i Ferizajt, Sevdije Mehmeti-Topalli, ka theksuar se gjatë këtyre ditëve ka rritje të numrit të rasteve pozitive, ndërsa ka theksuar se pikërisht për këtë po rriten edhe masat mbrojtëse dhe që duhet të respektohen nga të gjithë.

“Unë e kuptoj brengën e juaja, por unë në këtë rast duhet të mbroj shëndetin e njerëzve, një jetë e dikujt është shumë më e çmuar se sa një dështim i një biznesi cilido qoftë”, ka thënë Mehmeti-Topalli, përderisa ka shtuar se bartjen e maskave duhet të jetë e domosdoshme për secilin qytetar.

Edhe zëvendëskomandanti i stacionit të policisë Qazim Reka, ka kërkuar nga bizneset afariste dhe të gastronomisë që të mirëmbahen rregullave të përcaktuara nga MSH, në mënyrë që numri i prekurve të zvogëlohet dhe të mos ketë raste të reja.

Nga ana e tyre, shumica e bizneseve në këtë takim kanë pasur vërejtjet e tyre sa i përket manualit të MSH-së, por kanë thënë se do t’iu përmbahen rregullave për shkak se shëndeti i çdo qytetari është më i rëndësishëm se gjithçka tjetër.

Ndryshe, takimi koordinues me subjektet afariste të natyrës gastronomike në Komunën e Ferizajt rreth zbatimit të masave për Covid-19 është mbajtur në dy pjesë duke respektuar masat mbrojtëse kundër virusit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat