​Komuna e Ferizajt nuk do mund të ofrojë teste serologjike për qytetarët e saj

Ferizaj

​Komuna e Ferizajt nuk do mund të ofrojë teste serologjike për qytetarët e saj

Më: 7 shtator 2020 Në ora: 11:24
​Komuna e Ferizajt

Komuna e Ferizajt në mungesë të buxhetit, nuk do të mund t’u ofrojë qytetarëve të saj teste serologjike falas. Kështu ka deklaruar drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Bekim Ademi.

Ai tha se aktualisht teste serologjike, ferizajasit do të mund të kryejnë vetëm në tetë laboratorët private që janë licencuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Ademi: Momentalisht buxheti nuk na lejon të bëjmë teste të tilla

“Ferizaj për dallim nga komunat tjera ka pasur probleme buxhetore për arsye se kemi trashëguar borxh kogja të lartë nga qeveria e kaluar për kompani të caktuara, dhe në mungesë të buxhetit ne nuk kemi pasur mundësi të startojmë me teste të tilla, në përjashtim të laboratorëve privat të cilët mbi 8 laboratorë privat po e kryejnë këtë punë dhe neve na mbetet t’i marrim këto rezultate të këtyre laboratorëve dhe të shikojmë gjendjen epidemiologjike të qytetarëve tanë…Momentalisht buxheti që e kemi tani për tani nuk e lejon një gjë të tillë“, theksoi Ademi.

Ndonëse thotë se gjendja epidemiologjike në këtë komunë është më stabile, Ademi tregon se tashmë shifrat e të shëruarve janë me te larta se të atyre të infektuar.

Ademi: Momentalisht gjendja është stabile dhe e qetë

“Momentalisht gjendja është stabile dhe e qetë duke pasur parasysh gjendjen të cilën e kemi pasur ditëve të kaluara, ku kemi pasur konfirmime të shpeshta, ndërsa shërim të pakta të pacientëve me COVID-19. Ndërsa, tani gjendjen e kemi shumë më stabile për arsye se kemi konfirmime me dy-tre raste dhe kemi shërimine e 20-30 personave në ditë. Momentalisht janë edhe 154 persona aktiv, 621 persona i kemi të shëruar nga numri total 811 persona”, deklaroi Ademi.

Drejtori i Shëndetësisë në Ferizaj, thotë se edhe qytetarët e Ferizajt janë ballafaquar me vonesa në kumtimin e rezultateve për qytetarët e testuar nga IKSHP-ja. Sipas tij, këto vonesa kanë rrezikuar shëndetin e përgjithshëm.

Ademi: Qytetarëve u janë vonuar rezultatet e testeve me 2 deri në 3 ditë

“Edhe ne sikur të gjitha komunat kemi pasur probleme të tilla për arsye se qytetarëve tanë iu janë vonuar rezultatet me 2-3 ditë të tëra me çka është rrezikuar shëndeti i përgjithshëm i qytetarëve për arsye se qytetari i cili nuk ka marr një rezultat të tillë nuk është vetë izoluar dhe qarkullimi i tij në mese të caktuara, qoftë në sheshe apo në markete ka rrezikuar edhe shëndetin e të tjerëve”, tha ai.

Ademi potencon se në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe Qendrat Mjekësore, po kryhen të gjitha shërbime mjekësore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat