Agim Aliu do t’ia kërkojë PDK-së që të kandidojë edhe për një mandat në Ferizaj

Ferizaj

Agim Aliu do t’ia kërkojë PDK-së që të kandidojë edhe për një mandat në Ferizaj

Më: 5 janar 2021 Në ora: 11:53
Agim Aliu

Në Kosovë, zgjedhjet lokale do të mbahen në tetor të këtij viti.

Kosova këtë vit do të ballafaqohet me dy palë zgjedhje, ato të jashtëzakonshme parlamentare dhe zgjedhjet e rregullta lokale.

Zgjedhjet lokale pritet të mbahen në muajin tetor të këtij viti, përderisa fokusi i shumë partive është në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i cili vjen nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se aktualisht partia e tij është e fokusuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Sipas Aliut, për shkak të situatave politike që kanë ndodhur në vend, por edhe pas dorëheqjes së Kadri Veselit nga i pari i PDK-së për shkak të aktakuzës nga Gjykata Speciale, shumë gjëra kanë ndryshuar, pasi siç theksoi Aliu, PDK-ja ka pasur në plan që qysh në 2020-tën të fillojë me përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar të komunave.

““Ne e kemi diskutuar me partinë, në fakt kjo temë është diskutuar edhe gjatë kohës sa ka qenë edhe zotëri Veseli kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, mirëpo pastaj ndodhën proceset të cilat tashmë janë të njohura për publikun, për qytetarët edhe sikur u ndal ai proces sa i përket kandidimeve të kryetarëve të komunave. Përndryshe Partia Demokratike e Kosovës e ka pasur si qëllim që në të gjitha komunat e Kosovës të fillojë me këtë proces qysh në vitin 2020 edhe për një periudhë të caktuar t’i nominojë të gjithë kandidatët për kryetar të komunave. Sigurisht se do të fillonte me komunat e mëdha edhe pastaj të vazhdonte me komunat e tjera. Por tashmë është procesi i ri zgjedhor dhe sigurisht se jemi të fokusuar edhe në procesin e ri zgjedhor”, theksoi Aliu.

I pyetur se a do të kandidojë edhe për një mandat për të parin e Ferizajt, Aliu ka thënë se, një gjë e tillë është kërkesë e vetë qytetarëve dhe se për këtë do të kërkojë edhe pëlqimin e partisë së tij.

“Po tashmë është edhe kërkesë e vetë qytetarëve të  komunës së Ferizajt që në bazë të vlerësimeve që edhe ata janë duke i bërë që unë të jem kandidat edhe për një mandat dhe sigurisht që edhe nga Partia Demokratike do të kërkojë që të bëj nominimin tim për mandatin e ardhshëm për kryetar komune”, ka thënë Aliu.

Theksojmë se zgjedhjet lokale të rregullta pritet të mbahen në muajin tetor të këtij viti mirëpo, për shkak të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, pothuajse të gjitha partitë janë fokusuar në këto zgjedhje dhe jo ato lokale. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat