Gjashtë vjet burgim dhe dënim me gjobë ndaj dy personave për trafikim me njerëz

Ferizaj

Gjashtë vjet burgim dhe dënim me gjobë ndaj dy personave për trafikim me njerëz

Më: 24 shkurt 2021 Në ora: 14:25
Gjykata Themelore në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit H.B shtetas i Republikës së Kosovës, i akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për veprën penale trafikimi me njerëz nga neni 165 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), dhe të pandehurit B.B. për shkak të veprës penale shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit nga neni 228 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Sipas komunikatës, Kryetari i Trupit Gjykues i Departamentit për Krime të Rënda – Mustaf Tahiri, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor fillestar dhe pranimit të fajësisë nga ana e të pandehurve, të pandehurin H.B. e shpalli fajtor për veprën penale trafikimi me njerëz nga neni 165 paragrafi 1 të KPRK, dhe të njëjtit i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej tre (3) vjet dhe dënim me gjobë në shumë prej treqind (300) euro, ndërsa të pandehurin B.B. akuzuar për veprën penale shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit nga neni 228 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej tre (3) vjet.

I pandehuri H.B. akuzohet se gjatë vitit 2020 në Ferizaj dhe Kaçanik, me dashje dhe me qëllim të përfitimit pasuror për vete, keqpërdor në vazhdimësi pozitën e ndjeshme të viktimës N.Xh. e cila është me prapambetje mendore, në atë mënyrë që të njëjtën e mban nën kontroll dhe e shfrytëzon për qëllime seksuale, duke siguruar persona të ndryshëm ndër ta të pandehurit B.B, A.B, G.R, G.D, I.D dhe Sh.B, që të kryejnë marrëdhënie seksuale me të në këmbim të parave, të cilat para më pas i merr për vete.

Ndërsa i pandehuri B.B akuzohet se nga muaji janar deri në muajin gusht 2020, në Kaçanik dhe Ferizaj, ka shfrytëzuar shërbime seksuale të viktimës së trafikimit, edhe përkundër faktit se ka qenë në dijeni se viktima N.Xh. është person posaçërisht i ndjeshëm për shkak të prapambetjes mendore, në atë mënyrë që fillimisht ka kontaktuar me personin H.B i cili ia kishte ofruar viktimën për të kryer marrëdhënie seksuale me pagesë, duke ia dërguar në vende të caktuara, herë në Kaçanik në banesën e tij, e herë në motele e podrume banesash në Ferizaj, ashtu që pas shfrytëzimit të shërbimeve seksuale nga viktima, të njëjtën e ka paguar në shumë prej 5-10 euro, e të cilat para e njëjta me pas ia ka dhënë të pandehurit H.B.

Kryetari i trupit gjykues ka veçuar procedurën penale kundër të akuzuarve G.D dge G.R, me që të njëjtit nuk e kanë pranuar fajësinë për veprën penale siç i ngarkon aktakuza, ndërsa të akuzuarit A.B dhe Sh.B, për shkak se nuk ka mund të sigurohet prania e tyre.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat