Një muaj paraburgim për B.Sh, dyshohet për vjedhje të rëndë në Ferizaj

Ferizaj

Një muaj paraburgim për B.Sh, dyshohet për vjedhje të rëndë në Ferizaj

Më: 20 prill 2021 Në ora: 14:00
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Ferizaj – Dega Kaçanik, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit B.Sh, shtetas i Republikës së Kosovë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “vjedhje e rëndë”.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal – Burhan Berisha, ka vërtetuar faktin se i pandehuri më 2 prill 2021 në Ferizaj, tek shtëpia e të dëmtuarit A.K. me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, me përdorimin e forcës e ka hapur derën hyrës të shtëpisë.

Fillimisht ka ndërruar rrobat duke i lënë në shtëpi dhe nga aty i ka marrë rrobat e djalit të të dëmtuarës si dhe nga çanta e të njëjtës ka marrë shumën e të hollave 30 euro, 10 dollar, 10 kruna suedeze si dhe çelësat e veturës “Audi”, me të cilën pastaj është nisur për në drejtim të Hani të Elezit dhe në pikën kufitare nuk është ndaluar fare, duke vazhduar në drejtim të Republikës së Maqedonisë Veriore.

Mirëpo i njëjti nga patrulla e policës është ndjekur nga prapa dhe në largësi nga pika kufitare në territorin e Maqedonisë, është ndaluar dhe arrestuar.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat