Spitali i Ferizajt sqaron rastin e kufomës që u la 2 orë në korridor

Ferizaj

Spitali i Ferizajt sqaron rastin e kufomës që u la 2 orë në korridor

Më: 7 maj 2021 Në ora: 16:55
Spitali i Ferizajt

Spitali i Përgjithshëm në Ferizaj ka dalë me një sqarim lidhur me lajmin e sotëm në media, dhe një video, e cila ka qarkulluar nëpër rrjetet sociale, ku shihet se në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt, kufoma e një personi është lënë për disa orë në korridor e mbuluar me çarçaf.

Në sqarimin e Spitalit të Ferizajt thuhet se “dje (e enjte, 6 maj 2021), në orët e mëngjesit në Emergjencën e Spitalit, hapësirë e huazuar nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, ka ardhur një paciente pa shenja jete edhe përkundur masave reanimatore, pacientja nuk është kthyer në jetë”.

“Bazuar në protokollet spitalore, spitalet e mbajnë kufomën 2 orë, pastaj e dorëzojnë tek familjarët për të proceduar me ceremoninë e varrimit”, thuhet në sqarimin e Spitalit.

Sipas sqarimit, në këtë rast, nuk bëhet fjalë për pacient me Covid-19, por pacient me sëmundje të zakonshme.

“Vendi ku Spitali i mbanë kufomat është një hapësirë në mes të shkallëve ku vendoset paravani dhe mbulohet kufoma, kurse pas dy ore ju dorëzohet familjarëve”

“Në atë hapësirë nuk ka prezencë të pacientëve të tjerë, por përmes incizimit është keqpërdorur dhe është tentuar të jepet kahje negative punës së Spitalit”, thuhet në sqarim, ku thuhet se Spitali i Ferizajt e ka në ndërtim e sipër objektin e ri, ku do të ketë kushte dhe hapësira moderne, përfshirë edhe morgun për vendosjen e kufomave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat