Vazhdon akoma procesi i largimit të gjedhëve nga stalla e Ferizajt

Ferizaj

Vazhdon akoma procesi i largimit të gjedhëve nga stalla e Ferizajt

Më: 4 qershor 2021 Në ora: 23:28
Largimi i gjedhëve nga stalla e Ferizajt

Procesi i largimit të 80 gjedhëve nga një stallë në Gërlicë të Ferizajt është duke vazhduar akoma edhe në orët e vona të mbrëmjes.

Ekipi i medias ishte në stallën ku janë marrë kafshët që konsiderohen të kontrabanduara, por ata nuk janë lejuar të marrin pamje aty nga pronari, i cili ka kërkuar që më të mos raportohet për tërë këtë ngjarje.

Aty kishte ende kafshë dhe në vendngjarje ishte akoma policia edhe pse operacioni kishte filluar që nga orët e paradites.

Kafshët e konfiskuara nga Gërlica e Ferizajt do të dërgohen në në një deponi në Istog, në një vend ku mbahen të gjitha kafshët që sekuestrohen dhe që dyshohen se janë të kontrabanduara.

Institucionet gjegjëse nuk kanë dhënë shumë detaje për operacionin, pos asaj se ka filluar nga ora 11:00 e mëngjesit.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, ka thënë se pronari i këtyre gjedhëve ka edhe pak kohë që të dokumentojë të gjithë veprimtarinë që lidhet me këto kafshë, pra të vërtetojë nëse ato janë të futura në Kosovë në anën ligjore ose janë të kontrabanduara, në të kundërtën ai do të përballet me ligjin.

Dy maune që kanë bërë bartjen e kafshëve të sekuestruara janë përcjellur nga dy vetura të policisë deri tek vendi i tyre në Istog ku kishin për t’u dërguar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat