Bija e Ferizajt premton rikthim të fuqishëm të LDK-së në këtë komunë

Ferizaj

Bija e Ferizajt premton rikthim të fuqishëm të LDK-së në këtë komunë

Nga: M.L. Më: 2 gusht 2021 Në ora: 22:20
Sibel Halimi

E nominuara për kryetare të Komunës së Ferizajt nga radhët e LDK-së, Sibel Halimi me anë të një statusi në Facebook ka treguar arsyet se përse po hyn në garë.

“Derisa isha jashtë politikës, lufta ime kryesore ishin të drejtat e barabarta të grave dhe vajzave dhe fuqizimi i tyre në shoqëri. Si sociologe, rreth dy dekada nuk jam ndalur së trajtuari problemet e fenomenet e ndryshme për ta ngritur një shtet të drejtë.

E tash, kur vetë u bëra pjesë e politikës, do të ishte e padrejtë që unë mos ta pranoj sfidën që nga dijet humanistike të kaloj në veprime konkrete, të motivoj shumë gra që politika është mundësia jonë për të ndryshuar jetët tona dhe vetë shtetin tonë!”, shkroi Halimi.

Ajo theksoi se po kandidon për kryetare të Ferizajt me përkrahjen e plotë të kryetarit të LDK-së, Dr. Lumir Abdixhikut dhe Degës së LDK-së në Ferizaj.

“Po i hyj kësaj gare, t'ia kthej borxhin qytetit tim për frymëzimin që e mora qysh në hapat e mi të parë, për t’u bërë kjo që jam sot! Unë hyj në garë për të fituar, sepse fitorja ime dhe e LDK-së në Ferizaj, do të thotë jo vetëm fitore e grave të Ferizajt por edhe një shans i ri për emancipim dhe modernizim të këtij qyteti. Qyteti im, e meriton një udhëheqje ku frymëzohen e përkrahen shumë të rinjë e të reja që duke qenë vetja, t'i tejkalojnë vështirësitë e betonuara!”, potencoi ajo.

Halimi tha se do të punojë bashkë me gra e burra që mendimi për ta braktisur qytetin e Ferizajt do t’i përkas të kaluarës.

“Do ta ndërtojmë të sotmen, duke e jetësuar të drejtën për lumturi, për barazi shoqërore, ku do të luftojmë për të drejtën e secilit që ta ketë një punë dhe një strehë. Poashtu, të moshuarit, të kenë mundësi, jo për të numëruar vitet e kaluara, por, për t’i shijuar vitet në vazhdim. Do të jem pranë artistëve e artisteve që të mos presin me vjet për realizimin e një ideje a projekti deri në demotivim, por të krijojmë siguri që secila ide e bukur do të mbështetet, pa hezitim. Me kulturën e artin do të udhëtojmë së bashku në shkolla, galeri, biblioteka e teatro, sepse Ferizaj me potencialin që ka, duhet të promovohet si një qytet kulturor. Ferizajas e Ferizajase bashkë do t`i japim frymë qytetit tonë!”, u shpreh ajo.

Në fund Halimi tha se LDK rikthehet në Ferizaj, sepse Ferizaj do ta votojë bijën e vet!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat