​1522 gjoba për shkeljen e masave antiCOVID-19 në Ferizaj

Ferizaj

​1522 gjoba për shkeljen e masave antiCOVID-19 në Ferizaj

Më: 6 shtator 2021 Në ora: 18:15
Foto

Policia e rajonit të Ferizajt nga data 30 gusht deri më 5 shtator 2021, përveç 262 vërejtjeve policore, ka shqiptuar 1522 gjoba ndaj qytetarëve të cilët kanë shkelur masat e fundit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Gjatë kësaj periudhe janë kontrolluar dhjetëra lokale të ndryshme dhe janë mbyllur 6 prej tyre, të cilave u janë shqiptuar edhe gjoba kundërvajtëse.

Policia po bënë edhe verifikimin nga afër të personave që janë në vetizolim me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, për shkak të infektimit me COVID-19.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, fton qytetarët që të bashkëpunojnë me policinë dhe nëse kanë informacione se persona, apo vende të caktuara nuk respektojnë masat antiCOVID-19, të lajmërojnë stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”, si dhe në numrat kujdestarë 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406.

“Policia do të marrë të gjitha masat e nevojshme, sipas ligjit antiCOVID-19. Të dhënat e juaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, situata epidemiologjike në Kosovë është rënduar shumë dhe për pasojë qeveria e Kosovës vendosi të rikthejë kufizimin e lirisë së lëvizjes nga data 28 gusht deri më 13 shtator. Ato përfshijnë kufizimin e lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri në ora 05:00. Orari i sektorit të gastronomisë është reduktuar me një orë, pra deri në orën 21:30 dhe do të lejohet të punojë vetëm në hapësira të jashtme.

Institucionet publike dhe private janë të detyruara të punojnë vetëm me stafin e domosdoshëm deri më 13 shtator. Pas kësaj date punonjësit e sektorit publik duhet të dëshmojnë certifikatën e vaksinimit apo testet përkatëse në mënyrë që t'u lejohet hyrja në vendet e punës.

Të gjithë personat që do të hyjnë në Kosovë, pavarësisht shtetësisë, duhet të ofrojnë dëshmi për vaksinim apo teste PCR dhe antigjen ose në të kundërtën duhet të izolohen për shtatë ditë.

Në 24 orët e fundit në Kosovë janë regjistruar 28 viktima nga COVID. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen, pasi varianti delta i virusit korona po përhapet me shpejtësi dhe po shënohet dhe rritje e shpejtë e rasteve pozitive me këtë virus.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat