Ferizaj miraton buxhetin 34 milionë euro

Ferizaj

Ferizaj miraton buxhetin 34 milionë euro

Nga: Faton Mehmeti Më: 30 shtator 2021 Në ora: 17:21
Hapjen e kësaj mbledhje e bëri Kryesuesja e Kuvendit të Komunës Kristina Gashi-Bytyqi

Këtë të enjte, u miratua buxheti i Komunës së Ferizajt për vitin 2022-2024. Hapjen e kësaj mbledhje e bëri Kryesuesja e Kuvendit të Komunës Kristina Gashi-Bytyqi, ndërsa në këtë mbledhje ka marre pjese edhe numri një i qytetit të Ferizajt, Agim Aliu.

Në fjalën e tij Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu ka thënë është kënaqësi e veçantë, që në javët e fundit të një rrugëtimi të përbashkët katër vjeçare, të mandatit tonë qeverisës, të jemi sot para jush, për të shpalosur një plan të ri, të çelim një kapitur të ri, plot projekte e nisma të reja, tejet të nevojshme për Ferizajn dhe ferizajasit.

Është pra, projektbuxheti 2022-2024, që sot keni para vetes, dokumenti në të cilin kemi vënë themelet e ecjes përpara të Ferizajt për vitet e ardhshme. Para se të elaboroj këtë dokument kryesor që flet për vizionin që kemi për qytetin e fshatrat e Ferizajt, në të fundit seancë të këtij legjislativi, dua të shpreh falënderimin tim, ekzekutivit që udhëheq, për bashkëpunimin, përkrahjen e sugjerimet tuaja për më të mirën për ferizajasit. Natyrisht, kam mirëkuptuar e mirëkuptoj edhe tani, rolin politik të secilit, por mbi të gjithë kemi Ferizajn, bashkë të gjithë. Sa i përket temës thelb të kësaj seance, buxhetit pra të vitit 2022-2024, mund t’ua them bindshëm e qartë, se ky projekt buxhet është nisja e një rrugëtimi të ri, të mirat e të cilit do t’i gëzoj çdo ferizajas. E them këtë sepse, si i tillë, buron nga qytetarët, nga konsultat e drejtpërdrejta të tyre e sugjerimet profesionale të grupeve ekspertësh që kanë mbështetur gjatë gjithë kohës qeverisjen time”, ka thënë Kryetari Aliu, përderisa ka shtuar se kryefjalë e qeverisjes së tij është profesionalizmi dhe e ndershmëria".

I pari i Ferizajt Agim Aliu, ka thënë se edhe buxheti për vitet 2022-2024, që në total peshon prej afro 34 milionë euro, ka një varg projektesh që i japin zgjidhje praktike e cilësi jete përditshmërisë së ferizajasve. Projekte të reja, të padëgjuara më parë, krejtësisht produkt i ekspertizës profesionale e vizionit tonë për ta vazhduar ndryshimin e Ferizajt. Që nga qendra e qytetit, e në gjithë trupin e Ferizajt do të vijojnë të vendosen gozhda pune, pa u lodhur asnjëherë, me motivin e me dëshirën më të pastër, për ta bërë më të mirë, qytetin e fshatrat tona.

“Ndryshimi duke modernizuar e bërë sa më të përshtatshme për qytetarët qendrën e qytetit e gjithë territorin e Ferizajt, do të vazhdoj me energji e zgjidhje të reja praktike.

Në planin e infrastrukturës publike, asgjë për asnjë moment nuk na ka ndalur e nuk do të na ndal nga guximi për të realizuar vepra të mëdha për Ferizajn.

"Në këtë projekt buxhet, kemi planifikuar e do ta realizojmë, ciklin pasues të projektit tashmë të njohur përtej Ferizajt e vendit tonë, “Bashkimi i Qytetit”, duke ndërtuar nënkalimin për vetura afër Stacionit Policor në Ferizaj, i cili përfundimisht do t’i jap frymë të re, gjithë rripit qarkullues rrugor në zemrën e qytetit. Po kështu, me këtë buxhet, synojmë të realizojmë investimin në ndërtimin e infrastrukturës rrugore moderne të rrugës “Cen Dugolli” dhe “Reçakut” nga Stacioni Policor deri në rrugën “Driton Islami”. Zemra e qytetit, arteriet e saja rrugore kryesore, do të pësojnë transformim rrënjësor. Do të rikonstruktojmë tërësisht rrugët “12 Qershori” dhe “Ahmet Kaçiku”, gjersa do të zgjerojmë e modernizojmë infrastrukturën e rrugës “Rexhep Bislimi” nga rrethrrotullimi deri tek Kisha Katolike”, tha Aliu.

Kryetari Aliu, tutje ka thënë se rëndësi tejet e madhe do të kushtohet agjendës mjedisore.

“E kam thënë e po e ripërsëris, agjenda e Ferizajt në vitet që na presin, është agjendë mjedisore, kartë e gjelbër për qytetarët tanë, për të cilët kemi planifikuar të rregullojmë parqe të shumta, masive të gjelbërta të qasshme e tejet të nevojshme në qendër të qytetit por edhe në periferinë e saj. Është zgjerimi dhe rregullimi i Parkut “Liria” që do të flas qartë për përkushtimin tonë për të gjelbërtën, duke e kthyer këtë zonë në atraksion të vërtet turistik jo vetëm për ferizajasit por edhe më gjerë".

Po kështu, kemi vizionin e qartë edhe për rregullimin e Parkut të Madh në Kodrën e Sherretëve, një nga lagjet më të vjetra kjo e qytetit, që meriton trajtim e zhvillim të hovshëm, duke investuar në të gjelbërtën. Parqe do të ketë edhe në zemrën e qytetit, si parku në lokacionin e tanishëm të kompanisë “Pastërtia” e dhjetëra parqe të vogla në gjithë zonën urbane. Në këtë agjendë, do të bëjmë edhe rregullimin e shtratit të lumit nga ura e Dudit deri tek ura e Islamit, duke e kthyer zonën në një shëtitore të veçantë për Ferizajn.

Kryetari Aliu, tutje ka folur edhe për projektet e shëndetësisë, arsimit, bujqësisë, kulturës e sportit, zhvillimin ekonomik e çështje të tjera të një rëndësie tejet të madhe që kanë për qytetarët ferizajas.

Pas fjalimit të Kryetarit Aliu, pati diskutime nga ana e pozitës e opozitës, por në fund të gjithë njëzëri kanë votuar projektbuxhetin 2022-2024.

Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe disa pika të tjera të rendit të ditës njëra ndër to ishte edhe propozim-vendimin për caktimin e emrave të listës rezerve për zonat e qarkullimit publik të komunës së Ferizajt si dhe propozim-vendimi për caktimin e normave tatimore për tatimin në pronë e paluajtshme për vitin 2021.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat