U mbajt mbledhja komemorative për profesorin Heset Cakolli

Ferizaj

U mbajt mbledhja komemorative për profesorin Heset Cakolli

Më: 16 shtator 2016 Në ora: 15:38
Heset Cakolli

Në Sallën e Kuqe të Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë, familjarë, miq, shokë, udhëheqës të institucioneve lokale dhe qendrore, në një mbledhje komemorative kanë kujtuar jetën dhe veprën e profesorit të ndjerë, Heset Cakolli.

Me këtë rast, kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa, ka thënë se qyteti i Ferizajt ka humbur një intelektual dhe një profesor universitar.

“Në emër të qytetarëve të Komunës së Ferizajt dëshiroj të ndaj me ju dhembjen për humbjen para kohe të intelektualit dhe bashkëvendësit tonë të nderuar, profesor Heset Cakollit. Vendi ynë po hyn në një fazë të rëndësishme të zhvillimeve politike, kur ka shumë nevojë për njerëz të ditur, të arsimuar dhe që japin kontribut në këtë fushë jo të prirë nga interesat e ngushta të ditës, por të prirë nga interesa afatgjata që lidhen me përparimin e vendit tonë. Profesor Cakolli në këtë aspekt po lë të zbrazët një vend të nderuar. Ne jemi në një fazë të shtetndërtimit, kur na duhen impulse nga njerëz që shquhen me urtësi e largpamësi dhe që nuk e vënë interesin vetjak para interesave shtetërore. Ne do ta ndjejmë mungesën e profesor Cakollit edhe në këtë aspekt”, ka thënë kryetari Sfarqa.

Ai tha se mungesa e profesor Cakollit do të krijojë zbrazëti të ndjeshme. “Arsimi dhe edukimi në vendin po kalojnë nëpër fazën e tejzgjatur të tranzicionit, e cila ka nevojë për dijen dhe përvojën e mësimdhënësve të përkushtuar e këmbëngulës për realizimin e objektivave zhvillimore, të cilat e afrojnë Kosovën me vendet e përparuara. Mungesa e profesor Cakollit do të krijojë zbrazëti të ndjeshme. Ka edhe shumë aspekte të tjera të jetës e të punës, ku do ta ndjejmë mungesën e profesor Cakollit.

Por ne, dashur e padashur, duhet të pajtohemi që ai nuk është më në mesin tonë dhe të ngushëllohemi me veprën e tij, me kontributin e shumanshëm që e dha në fushën e zhvillimeve të politikës, të legjislativit, sidomos në fushën e arsimit”, ka përfunduar kryetari Sfarqa. Për jetën dhe veprën e profesorit të Inxhinierisë Mekanike, Heset Cakolli, ka folur Ahmet Shala, dekan i Fakultetit Teknik, i cili deri në momentet e fundit të jetës së profesorit Hesatit ishte me të. Fjalë miradije për profesorin e ndjerë ka folur edhe Marjan Dema, rektor i Universitetit të Prishtinës, si dhe Sala Berisha-Shala, deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Të pranishmit në këtë komemoracion, në emër të familjes, i përshëndeti Musli Cakolli. Profesor Heset Cakolli lindi më 14 prill të vitit 1957 në Krilevë të Kamenicës. Profesor Cakolli ishte edhe deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës. Ai la pas vetes bashkëshorten dhe tre fëmijë.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat